Gazetari Igli Çelmeta në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur për lejen 5 ditore që iu dha Fredi Belerit, për të shkuar në Strasburg ku do të betohet si eurodeputet i partisë Nea Demokracia të Kryeministrit grek. Çelmeta tha se mediat greke njoftuan miratimin e lejes dy ditë përpara se të mblidhej Komisioni i posaçëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
Në këtë kuadër, Çelmeta tha se ka pasur një urdhër politik për ti dhënë leje Fredi Belerit që të shkonte në Strasburg për të bërë betimin.
“Fredi Belerit, referuar njoftimit zyrtar iu dha një leje shpërblyese. Beleri plotësonte kushtet për këtë leje shpërblyese, pasi i kanë mbetur edhe 3 muaj burg. Ligji nuk e përcakton që një shtetas të dalë nga burgu dhe të shkojë në një tjetër shtet. Por në anën tjetër ligji nuk e ndalon. Pyetja që unë shtroj është: cilat janë rregullat që ka respektuar Fredi Beleri, apo çfarë ka bërë për rehabilitim Fredi Beleri, pasi ajo që ne kemi parë janë intervistat në mediat greke ku sulmon drejtësinë shqiptare”, tha Çelmeta.
Ai tha se “vendimi e thotë qartë: i dënuari ka përfituar leje shpërblyese nga data 15 deri në 20 korrik, për tu betuar si eurodeputet. Në vendim thuhet: vendstrehimi është në banesën e tij në Himarë dhe në Strasburg, ku duhet të bëjë betimin si eurodeputet.
Tani Fredi Beleri ka udhëtuar në Athinë, ku ka nisur takimet. Ai ka shkuar direkt në Greqi, ndërkohë që për kontaktet dhe takimet me personat e tjerë, ai duhet të njoftojë oficerin e kontaktit në Komisariatin e Fierit, sikundër përcaktohet në ligj për lejet shpërblyese. Ky person doli nga burgu për të përfaqësuar interesat greke, nëse i referohemi deklaratave të tij nacionaliste, ku ndër të tjera tha se “himariaotët kanë nënë Greqinë”. Ligji shqiptar nuk e përcakton këtë”, tha gazetari.
Në vijim, Çelmeta u shpreh se Fredi Beleri e ka shkelur lejen shpërblyese, duke mos shkuar në komisariat, sikundër parashikohet, por edhe përsa i takon faktit se ai kishte leje 5 ditore për të qëndruar në Himarë dhe në Strasburg, ndërsa ai që ditën e parë shfaqet në Athinë.
“Do të shikojmë se sa këllqe kanë institucionet shqiptare në lidhje me shkeljen e lejes shpërblyese, e cila është shkelur”, tha Çelmeta.
I pyetur se kush e ka dhënë urdhërin politik në rastin e Belerit për ‘lejen shpërblyese’, Çelmeta tha se kemi të bëjmë me një marrëveshje politike mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke, lidhur me këtë çështjes.
“Pas vendimit përfundimtar për Belerin dhënë nga Gjykata e Lartë, dhe më pas shpalljes së zgjedhjeve së parakohshme në Himarë, duket se kemi një marrëveshje të fshehtë për lirimin e Belerit me një “leje shpërblyese””, tha Çelmeta. Ai tha se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duhet të bëjë transparencë se çfarë ka bërë Beleri, cila ishte sjellja e tij e mirë, për të përfituar këtë leje shpërblyese.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb