Analisti Fatos Lubonja në rubrikën “Opinion” në News24 i konsideroi ndryshimet në Qeveri si lëvizje që nuk sjellin asgjë të re. Lubonja tha se kemi disa kukulla që u vendosën dhe u larguan disa të tjerë. “Kukullat janë në skenë, por vendimet merren në prapaskenë”, tha analisti Lubonja.
Sipas tij, problemi është largimi i Taulant Ballës si ministër i Brendshëm, për të cilin ende nuk kemi një arsye apo një shkak zyrtar. “Ka shumë teorira, shumë hipoteza, por nuk e dimë ende asgjë zyrtare”, tha Lubonja.
Në vijim ai u shpreh se pamë një Kongres partia ku askush nuk u ngrit dhe të thoshte ore pse u hoqën këta ministrat dhe u vunë disa të tjerë.
Lubonja tha se tashmë nuk kemi më Parti Socialiste por kemi Partinë e Edi Ramës, i cili është në krye të sistemit dhe askush nuk e analizon këtë sistem.
“Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi, më parë fliste se fajin e ka sistemi, pastaj thotë se e kanë fajin ata që hanë kumbulla, por në asnjë rast nuk thotë që përgjegjësia është e tij”, tha Lubonja.
Analisti u shpreh se më shumë kemi të bëjmë me një fasadë, ndryshimi duhet të fillojë me Ramën. “Ndryshimi mund të fillojë duke u sjellur ndryshe edhe Edi Rama. Ai nuk bëri asnjë kritikë, thotë ne jemi shumë të mirë, pse mos rrimë edhe 50 vjet të tjera”, tha Lubonja.
Ai u shpreh se Edi Rama ka një detyrim politik dhe moral që ti thotë publikut pse e hoqi Taulant Ballën, pasi thelbi i ndryshimeve ky ishte.
Lidhur me emërimin e Elisa Spiropalit në krye të Kuvendit, Lubonja tha se merita më e madhe që ka ajo që shkoi në këtë pozicion është se e ka quajtur Edi Ramën si “Skënderbeu ynë”.
Lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Lubonja tha se ato debatet nëse duhet të jenë lista të hapura apo të mbyllura, është një lloj problematike, por kur ishin të hapura problem ishte që ata që konsideroheshin të fortë nuk mund të kontrolloheshin.
“Mirë do të ishte që listat e kandidatëve të caktoheshin nga partia dhe jo nga kryetari, por çështja është që këtu kemi parti kryetarësh”, tha Lubonja. Ai tha se opozita duhej të deklaronte që nuk do të firmoste asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor, nëse nuk do të njihen koalicionet.
“Ajo që fitoi opozita nga gjithë ky proces është që ajo u njoh, edhe nga ndërkombëtarët, pasi gjithçka tjetër favorizon Edi Ramën. Këtu kemi një regjim të ngjashëm me atë të Maduros, por në dallim nga Venezuale, këtu Edi Rama ka përkrahjen amerikane”, tha Lubonja.
Lidhur me zgjedhjet për Bashkinë e Himarës, ku garojnë Petro Gjikuria dhe Vangjel Tavo, përkatësisht të mbështetur nga opozita dhe PS, Lubonja tha se ndryshe nga çdo vend demokratik në Botë, atje ku ka edhe zgjedhje të lira, qeverisë i pakësohet mbështetje, kurse në Shqipëri i shtohet.
“Rezultati i zgjedhjeve është i qartë, kot sa bëhen. Ky zgjedhjet i bën edhe në gusht, që të jetë edhe më i sigurtë”, tha Lubonja.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb