Marotta flet për rolin e Lautaros në Inter dhe ‘prishjen e marrëdhënieve’ me Skriniar

10 months ago 49

Pasi rinovoi kontratën me Interin, Beppe Marotta diskutoi rreth të ardhmes së sulmuesit Lautaro Martinez dhe asaj se çfarë shkoi keq me mbrojtësin Milan Skriniar.

Shefi i “Nerazzurrëve” së fundmi ka nënshkruar kontratë të re me klubin deri në qershor të vitit 2028, duke u konfirmuar në atë pozitë edhe për vitet në vazhdim.

Marotta ka qenë një figurë e rëndësishme që prej ardhjes së tij në dhjetor të vitit 2018, pasi ka ndihmuar Interin të ngjitet në majat e futbollit italian.

Ai luan një rol aktiv në afatin kalimtar për Interin së bashku me drejtorin sportiv Piero Ausilio, me dyshen që bëjnë përpjekje për të sjellur përforcimet e duhura për skuadrën e Simone Inzaghit, ani pse kanë një buxhet të limituar.

Në një intervistë për Calciomercato, Marotta ka diskutuar rolin dhe lidershipin e Lautaros në ekip.

“Lautaro është para se gjithash një futbollist shumë i mirë, por gjithashtu një baba shumë i mirë. Ai është një lojtar i cili bart vlera të rëndësishme, ai e dashuron Interin dhe Interi e dashuron atë”, ka thënë Marotta fillimisht.

“Ai dëshiron të qëndrojë dhe ne jemi të lumtur që e kemi atë. Sot ai është një nga lojtarët më të rëndësishëm sepse është kapiteni i skuadrës. Nëse ju e merrni shiritin, është sepse keni një diferencë të vogël në krahasim me pjesën tjetër “, vazhdoi ai.

Marotta nuk u la pa u pyetur edhe për kohën kur transferuan Cristiano Ronaldon tek Juventusi.

“Ai ishte një futbollist shumë i mirë, ai ende është dhe mbi të gjitha është një kampion i madh. Kampion është ai person i cili shpreh besimin e tij tek bashkëlojtarët”.

“Ai ishte lider i skuadrës, ishte më i famshmi dhe i shtyu të tjerët drejt suksesit”, u shpreh Marotta.

66-vjeçari shpjegoi po ashtu se çfarë shkoi keq me Skriniar i cili u largua si lojtar i lirë në drejtim të Paris Saint-Germainit gjatë verës.

“Kishte disa diferenca, disa vështirësi mes tij dhe Interit. Kjo bëri që të prishet marrëdhënia dhe miqësia që ekzistoi mes nesh. Rrugët tona u ndanë, ai shkoi në Paris, ne vazhduam tutje pa të”, dekaroi Marotta./Telegrafi/

Read Entire Article