Pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë, me ndërtimin e dy qendrave pritëse në Gjadër dhe Shëngjin, siç shkruajnë mediat italiane, pakti po shqyrtohet nga BE.
“Po e studiojmë marrëveshjen për menaxhimin e fluksit të emigrantëve: ende nuk kemi një gjykim përfundimtar, po i analizojmë detajet”, deklaroi një zëdhënëse e Komisionit Evropian, duke komentuar ndërhyrjen e Komisionerit Oliver Varhelyi, i cili të mërkurën e përshkroi ujdinë si interesante.
Pakti për emigrantët u kritikua nga opozita italiane, të cilës kryeministri shqiptar Edi Rama i ktheu përgjigje.
“Në respekt të plotë për Partinë Demokratike Italiane dëshiroj të përsëris këndvështrimin tim, i cili është të ndihmoj Italinë në këtë situatë, ku askush në Evropë nuk duket se ka një zgjidhje që mund të pranohet nga të gjithë. Mbase nuk është më i miri, por sigurisht është minimumi qe duhet dhe mund të bëjë Tirana! Nëse kjo nuk është çështje e së majtës në Itali, durim, se duket nuk është as e së djathtës në Shqipëri. Ndoshta është thjesht një gjë e drejtë”, është shprehur ai i cituar nga shtypi italian.
Pjesë e debatit u bë edhe ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani. Kreu i diplomacisë së vendit fqinj nënvizoi se marrëveshja me Tiranën “respekton të gjitha rregullat e komunitetit dhe të drejtën ndërkombëtare”.
“Nuk është Guantanamo siç ka thënë dikush, por një zgjidhje “humanitare”, deklaroi ai.
Zv/sekretari për zbatimin e programit Giovanbattista Fazzolari, sqaroi nga ana tjetër se memorandumi i mirëkuptimit me Tiranën për emigrantët “nuk kërkon ratifikimin parlamentar sepse nuk është një traktat i ri ndërkombëtar midis Italisë dhe Shqipërisë. Do të ketë një akt rregullator “zbatues” që do të kalojë në Parlament, por nuk ka nevojë për ratifikim”, shpjegoi ai.
Top Channel