Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Britaninë e Madhe për të marrë pjesë në takimin e radhës së Komitetit Politik Evropian mes liderëve të BE-së.
Në fokus të diskutimeve të liderëve evropianë do të jetë lufta në Ukrainë, siguria dhe demokracia, ndërsa për herë të parë kjo mbledhje do të drejtohet nga kryeministri i ri Britanik Keir Starmer, i cili do të mbajë edhe fjalën hapëse. Do të jenë 2 tryezat e rrumbullakëta që do të mbahen në këtë takim; një për emigracionin e paligjshëm që do të bashkëdrejtohet nga Giorgia Meloni dhe Kryeministri Rama; dhe një tjetër për mbrojtjen dhe sigurimin e demokracisë që do të bashkëkryesohet nga Presidenti Charles Michel dhe Presidenti malazez Jakov Milatoviç.
Sipas The Guardian, veç vendeve të Bashkimit Evropian do të jetë të ftuar edhe shtete jo anëtare të Unionit si Norvegjia, Islanda, Gjeorgjia, Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Turqia, por Presidenti Turk Rexhep Taip Erdogan nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen.
Ndërsa Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky do t’u drejtohet me një mesazh afro 50 liderëve evropianë, në takimin që do të mbahet në Pallatin Blenheim, vendlindja e Winston Churchill. Mikpritësi i këtij takimi, kryeministri i ri britanik Keir Starmer do të mbajë fjalën hapëse të punimeve të samitit, ndërsa pritet të nënvizojë angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj Ukrainës. Starmer është zotuar gjithashtu të vendosë lidhje më të ngushta me BE-në pas daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga unioni evropian. Ukraina do të dominojë diskutimin plenar me liderët, të cilët më pas do të bashkohen me tre grupe pune të përqendruara te mbrojtja dhe demokracia, të cilat do të përfshijnë sesione mbi krizën e dezinformimit, energjinë dhe migracionin.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb