Ora e parë shqiptare Primordial Passion, një orë dore krijuar nga Mjeshtri i Madh i artit të punimit të metaleve dhe gurëve të çmuar, Spiro Ruço, konkuron në Grand Prix d’Horologeria de Genevë 2024 dhe shoqërohet me çmimin valor 1.3 milion USD që përfaqëson vetëm kuotimin, si një orë luksi, por fryma ekstravagante metafizike në artbërjen e saj është përtej të zakonshmes. Në këtë verë të nxehtë ora Primordial Passion, tringjyrëshja arbërore skënderbejane e kuqe – e zezë – e artë, po përurohet fuqishëm në median shqiptare e të huaj dhe në rrjetet sociale, si një ngjarje dedikuar jo thjesht, kohës, por shpirtit të kohërave.
Primordial Passion në gjuhën shqipe përkthehet me më shumë fjalë për t’u emërtuar: Një ndjenjë shumë e fuqishme dashurie krijuar që në fillim të kohërave (botëve). Emri i zgjedhur prej Mjeshtrit që e krijoi këtë orë na tregon se asgjë nuk është rastësi, por gjithçka buron dhe i përket kategorisë të së mbinatyrshmes, transhedentales, e që mbartet e fjetur në pavetëdijën kolektive për t’u zgjuar dikur fuqishëm, qoftë dhe pas mijëravjeçarësh.
Ora Primordial Passion është ndërtuar me një polifoni ari të verdhë 18K, ari të bardhë dhe ari të tonuar (ngjyrosur) në të zezë. Në qendër të fushës së orës ndodhet një basoreliev që kulmon me logon e mirënjohur shqiponja dykrenore dhe emri Pirro. Flatrat e shqiponjës ngujuar, si shkëmbinjtë e maleve të Shqipërisë ku gjashtëmbëdhjetë figurinat e arta 9 – 10 mm: katër muziktarë që luajnë me fyell, lahutë, gajde dhe çifteli në mes të një valleje dorëpërdorë me dymbëdhjetë burra të veshur me kostume kombëtare nga gjithë trojet etnografike shqiptare, që vijnë si tipologji veshjesh të lashta dhe paraantike, të cilën rilindin në jetë, zgjohen nga gjumi i kohërave sapo ora Primordial Passion kurdiset. (Ky ansambël i skulpturuar duket se u dedikohet bijve të vetë Panit, kultit të hyjit, miti i të cilit përfshin edhe trojet shqiptare në hartën e vet fizike, lidhet veçanërisht me Butrintin, ku u dha së pari lajmi i vdekjes së tij dhe me piluriotët këmbëlehtë në valle e bilbila të këngës, si ata, që quhen: bijtë e Panit të Madh).
Në mikromozaikun me gradient kuq e zi, janë përdorur njëmijë e pesëqind gurë Murano, me tetë tone të ndryshme dhe gjashtëdhjetë e katër prerje, ndër të cilët më të vegjlit arrijnë në minimalistikën ekstreme 0.2 mm për të krijuar pjerrësinë e nevojshme në fushën e kuqe dhe ndarjet e florinjta që shënojnë orët. E zezë dhe e artë janë dy ngjyrat për akrepat e orëve dhe minutave. Kasa e orës është gjithashtu prej ari. Kurora e kurdisjes është dekoruar me kalinyrat e shtyllave antike, me meandrat ujore dhe gjethen e lisit kultik. Rripat e orës janë lëkurë hardhuce origjinale me hojeza kuq e zi, që lidhen me kasën e orës me togëza të arta në trajtë kapiteli.
Kupola e tejdukshme që mbulon ansamblin e artë në orën Primordial Passion është prej kristal zafiri/bombè me trajtim të veçantë antirefleksion. Dhe “vetëm një markë e kalibrit të lartë të horologjisë, si Agenhor, mund të kuptonte dhe të përceptonte gjithë punën mahnitëse të Spiro Rucos. AGH 6911 AP prodhohet nga Agenhor, një shtëpi sahatçinjsh që prej njëzet e pesë vitesh sjell disa nga mekanizmat më intriguese në botën e orëve luksoze. Jo më kot, kanë mbi dyqind patentime në fushën e horologjisë … Agenhor prodhon mekanizmat e disa nga market e orëve më të shtrenjta në treg, si Fabergè, Hermès, Arnold&Son, etj. Pafund. Tani i shtohet edhe Pirro, ora shqiptare”, e përshkruan mekanizmin mekanik të orës Primordial Passion në shkrimin e saj, gazetarja Marsela T. Najdeni, që vetë është një trashëgimtare e familjes më të njohur shqiptare që kanë bërë historinë disashekullore të tregtimit të sahatëve të xhepit dhe orëve në Shqipëri, fisi i njohur kryeqytetas, që nga 1700 – a “Vllaznit Tufina”(1. Gjyshi i Marsela T. Najdenit, Bahri Tufina ka prodhuar orën e parë shqiptare të tavolinës “Tirana”, si dhe orën e parë shqiptare të murit, në vitin 1973. Në koleksionin e fisit Tufina ndodhet edhe ora e xhepit e Sulltan Hamidit II (1842 – 1918), me një kasë të florinjtë që peshon 280 gram.
Lexoj në shkrimet e botuara se ora Primordial Passion ka marrë pesë vite kohë që nga idea gjer në realizimin final, por besoj se, mistikut metalpunues, Ing. Spiro Ruço i është dashur gjithë rrugëtimi i tij, që nga nisja në vitin e largët 1986, kur realizoi emblemën e parë për një ngjarje të rëndësishme shtetërore për të mbërritur në atë arkitekturë të shumëfishtë konceptuale të orës Primordial Passion, që shkëlqen sikur fjalët e Charles Baudelaire: Imagjinata mbetet më shkencorja e aftësive, ngaqë vetëm ajo e kupton analogjinë universale (2.
Kjo orë ngjason me kryeveprën e vetë Krijimit: Njeriun. Me gjithë teknologjinë sipërane të prodhimit, pa frymën nuk do të vinte në jetë.
Në bisedat e para njëzet viteve me Pirron më bënte shumë përshtypje mahnitja e tij që kishte dy fushëpamje si simboli ynë kombëtar: fjala e fundit në teknologjinë më bashkëkohore në përpunimin e metaleve, artefaktet prej metalesh në muzetë madhështorë të botës dhe mahnitja prej artit popullor shqiptar, si trashëgimi materiale dhe trashëgimi shpirtërore. Kemi folur gjatë për historinë, për keltët që u dhanë ilirëve mjeshtërinë e punimit të metaleve, granulimin e argjendit, dy ngjyrat kryesore të gurëve në stoli: jeshil dhe të kuq që të përbashkuar duket se marrin një energji specifike(3, për famën e mjeshtrave shqiptarë në metropolet e argjendarëve Shkodër, Janinë, Prizren, Pejë dhe porositë që merrnin madje dhe nga oborret mbretërore evropiane, ku argjendarët shqiptarë ishin të kuotuar lart dhe përbënin vlerë krenarie në koleksionet mbretërorë ku hynin (4. (Ndjesë se më duhet pak kohë të gjej faqen e referencës përkatëse në librin: Pena të arta franceze për shqiptarët)! Pirro thotë se, atë vetë kjo nuk e çudit. Edhe sot në sheshin Vendom në Paris, argjendarët e rinj, kryesisht shkodranë që punojnë në markat më të njohura të stolive valore nuk janë më pak të vlerësuar se mjeshtrit e vjetër.
Gëzimin e Primordial Passion, natyrisht që do e ndaja së pari me një nga miqtë më të mirë të familjes time dhe që ka një nga koleksionet më të jashtëzakonshme të orëve në botë, athinjotin i vjetër, Yannis Meintanis, që shkroi menjëherë sapo pa fotografitë dhe videot: Punë e jashtëzakonshme dhe unike! Besoj se, do të vlerësohet dhe do të gjejë një pronar krenar. Padyshim që do të zerë vend në historinë e vrojtuesve. Do të doja shumë të shihja në një foto lëvizjen brenda.
Një nga fushat kryesore të qytetërimit njerëzor, arti i punimit të metaleve për të realizuar mjetet e teknologjive të prodhimit, artin e stolisjes së njeriut, por edhe si tregues i kastës shoqërore, prodhimin e armëve dhe pajisjeve të tjera luftarake, kjo fushë jetike do të kishte në Olimp një nga dymbëdhjetë perënditë, perëndia Hefest për grekët dhe Vullkani për romakët, perëndia përgjegjëse i zjarrit, vullkaneve, përpunimit të metaleve, arpunuesve, metalurgjisë, marangozëve, farkëtarëve dhe skulpturës. Ashtu si në botanikë ku bimësia, lulet, kërpudhat, pemët, shkurret kanë muzikën e tyre dhe nuk rriten dot pranë njera – tjetrës nëse muzika që bën vala e ekzistencës së secilës nuk harmonizohet me njera – tjetrën, gjithçka kam mësuar në hulumtim të objekteve kultike dhe dukurive zakonore tradicionale, më është vërtetuar besimi i verbër në fillesë, se misteret e kohërave, alkimisë, gjenerimit na kanë lënë krejt në padije e mosnjohje.
Si një zot kryefarkëtar, Hefesti, djalë i Zeusit dhe Herës pajis perënditë me armë dhe stoli. Skena ku hyjnorja Tetidë, shkon të porosisë armët e reja të të birit jetëshkurtër e lavdimadh, Akilit, Homeri e këndon me përshkrime që na çorientojnë me kohën, Homeri përshkruan i pari një robot pune: Dy shërbëtore ari të sajuara/iu lëshuan anash mbretit për ta mbajtur,/posi dy vasha t’gjalla e tërë njomsi./ Brenda në zemër janë pajisë me mendje,/ligjërojnë bukur me fuqi vështrimi,/dinë shumë mjeshtri nga zotat e pavdekshëm;/e mbretit gati për çdo shenjë i rrinin/e i shkonin pranë.
Atëherë kjo teknologji që ka përgjegjës një perëndi, ka ekzistuar në të shkuarën parahistorike, në të sotmen, ku padroni primat i Inteligjencës Artificiale, homo sapiensi Elon Musk, po mendon të lidhë martesën e re me një robot, apo referuar dëshmisë homerike, mund të ngremë pyetjen edhe nëse kjo teknologji zotash na vjen nga e ardhmja?
Kjo parabolë e kohëve nëpërmjet gjithë Këngës XVIII të Iliadës së Homerit, dëshmi par excellence e fondit etnografik botëror, më pasqyrohet fuqishëm në mendime fort të ngatërruara mbi konceptin kohë, sa herë jam para vitrazhit të artë të krijimtarisë së Mjeshtrit Siro Ruço në mjediset e punishtes dhe Show Room – in e Artistic Jewellery Pirro.
Në panairin Botëror Expo ’98 në Lisbonë, një nga tetë pavionet e mëdhenj tematikë, përmidis pavioneve të 146 vendeve pjesëmarrëse ishte ai, pavioni i orëve Swatch, përshkruar në faqen e Expo ’98, si një koncept arkitekturor, i ngjashëm me orët e njohura zvicerane, pavion i projektuar “si një aventurë/zbulim me gjithçka që kjo nënkupton: habi, habi, pyetje… një formë inicimi/fillimi”. Si vizitor, pas një radhe të gjatë që mund të zgjaste edhe me orë, hyje në këtë pavion që nga tejdukshmëria të dukej se vozisje në erë, nëpërmjet rampave të veshura me mure plastike të tejdukshme ku shfaqen koleksionet vintage të Swatch Watches. Struktura gjigande të përbëra nga kornizë çeliku e mbuluar me fletë alumini të valëzuar dhe tekstil me fije qelqi për disa kate lartësi. Ai pavion qe projektuar për të të kujtuar se, koha që rrjedh është si ajri: e padukshme, e tejpashme.
E megjithatë, ajo rrjedh. E kufizuar për njeriun, si e kundërta e përjetësisë. Përjetimet e mia personale, si hulumtuese e atropologjisë kulturore dhe koleksioniste, duke ndjekur zhvillimin e krijimtarisë artistike të Mjeshtrit Spiro Ruço dhe realizimit nga farkëtorja Artistic Jewellery Pirro, që nga titujt e panumërt në kompozime të vogla apo në volume mbresëlënëse që janë njësoj monumentale, medalje nderimi të institucioneve të larta të shtetit, monedha, stoli të çmuara, etj. … e përthyejnë kohën, e bëjnë të kthyeshme pas, aty ku përjetimi i një dashurie të fuqishme që në fillim të kohërave, shpirti i etnosit shqiptar lind, ushqen, mbron jetën dhe është gjithmonë i mbijetuar në errësirat e kohërave. Ndaj natyrshëm do të kulmonte me krijimin e kësaj ore të pangjashme me asgjë tjetër dhe që tejkalon vetveten: Primordial Passion, mbulesa e vogël transparente prej kuarci e së cilës, i ka dhënë botës shqiptare një horizont të ri.
Si një kryefjalë nga mozaiku me ngjyrat e tërë gurëve të çmuar të shkrimeve të shumta përcjellëse, Primordial Passion(5 është quajtur në opinionin publik: Ora e Shqipërisë.
Ora e Shqipërisë që nënkupton, si sinonim fjalësh në gjuhën shqipe, baraz: Zanë Mbrojtëse e Shqipërisë.
Tiranë, korrik, 2024
Tufinat kanë punuar për të vendosur për orën e madhe në Kullën e Sahatit në qendër të kryeqytetit të sotëm shqiptar, “mekanizmi i së cilës u ble në Londër nga Ismail Tufina, tek vëllezërit Eduart dhe James Prior në vitin 1828. Ora u instalua në Kullën e Sahatit që ndërtoi Et’hem Bej Molla me kontributin e disa qytetarëve të Tiranës. Ora ishte e pajisur me një këmbanë që peshonte njëqind kg, 40% e së cilës përbëhej nga materiale të çmuara dhe argjend. Sipas gojëdhanës, tingulli i këmbanës dëgjohej gjer në Dajt. Ky sahat punoi deri në vitin 1916, mandej ushtria austro – hungareze e grabiti orën dhe në vitin 1928, Haxhi Arif Tufina me fondin e mbledhur prej 660 napoleonash floriri bleu në Zvicër orën “Jurgens” për vendosjen e së cilës Kullës iu shtuan edhe pesë metra të tjera.
Kjo orë punoi gjer në vitin 1944 dhe gjatë luftës çlirimtare orën e goditi një predhë duke e nxjerrë jashtë përdorimit”. Kjo është shkëputur nga intervista e sahatçiut Ardian Tufina me titull “Familja Tufina dhe historia e Sahatit të Tiranës/Breznitë e Tufinëve, dinastia e sahatçinjve të Tiranës”, publikuar në gazetën SHEKULLI, 2003, nga Belinda BUDINI. Edhe sot, pasardhës të rinj kanë hapur rrjetin e dyqaneve “Tufina” të familjes së njohur që e ka emrin ngushtësisht të lidhur me orët, ku promovojnë dhe shesin koleksione të reja orësh dore. Në kryeqytet ka edhe disa dyqane të vogla sahatçinjsh orëndreqës “Tufina”.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb