Me titull “Bllokada” e parë greke për Shqipërinë për shkak të çështjes “Beleri”, gazeta greke “Kathimerini” në një artikull të saj thekson se Athina “ngrin” perspektivën që Shqipëria të nisë negociatat për grupin e parë të kapitujve të anëtarësimit në BE.
Sipas gazetës, përshkallëzimi thelbësor i qëndrimit të ashpër ndaj Tiranës për shkak të shkeljes së vazhdueshme të të drejtave të kryebashkiakut të burgosur të Himarës, Fredi Beleri, është vendimi i Greqisë për të mos dhënë pëlqimin tek letra e përbashkët e 27 vendeve anëtare të BE-së për Shqipërinë që ajo të fillojë negociatat për hapjen e grupit të parë të kapitujve të anëtarësimit.
Megjithëse u gjet një formulë për të çuar përpara negociatat për këtë paketë specifike me Maqedoninë e Veriut, pasi Bullgaria pranoi propozimin e kompromisit të paraqitur nga presidenca spanjolle, kjo nuk u bë për Shqipërinë.
Vlen të theksohet se paketa e parë për çështjet themelore që duhet të zgjidhë çdo vend kandidat përfshin pesë kapituj, përkatësisht ata që kanë të bëjnë me: Gjyqësorin dhe të drejtat themelore; Drejtësinë , lirinë dhe sigurinë; Prokurimi publik; Statistikat dhe Kontrolli financiar.
“Kathimerini” shkruan se Athina mund të rishikojë qëndrimin e saj nëse Tirana ecën përpara për të treguar se ka vend për diskutim dhe jo të tregojë një shfaqje force nga ana e zotit Rama, brenda apo jashtë Shqipërisë.
Greqia ka kërkuar në të gjitha nivelet e mundshme që zotit Beleri t’i jepet mundësia për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, gjë që deri tani është refuzuar nga gjykatat shqiptare.
Ndërkohë burime diplomatike nga Brukseli sqarojnë se në fakt bëhet fjalë për një letër të cilën kanë hartuar 27 anëtarët e BE për Shqipërinë dhe Greqia nga ana e saj nuk ka dhënë ende pëlqimin. Gjithashtu nuk ka një referim zyrtar për këtë çështje deri tani nga ana e Ministrisë së Jashtme greke.
Top Channel