Doktor Adrian Hoti, personi i cili ka kundërshtuar atë që po ndodhte me kobaltin tek Onkologjiku, çështje e cila u zbulua nga dosja e megaskandalit tek onkologjiku pak ditë më parë, në një intervistë për gazetarin Osman Stafa, ka deklaruar se kobalti mbahej në dhoma pa asnjë kusht paraprak.
Ai ka treguar se ka ndjekur të gjitha hapat administrative për të evidentuar rastin dhe për të ndikuar që të merreshin masat e nevojshme për të siguruar jetën dhe shëndetin e mjekëve dhe pacientëve, diçka e tillë nuk ka ndodhur.
“Personalisht nuk kam denoncuar! Kam kundërshtuar me aq sa më takonte nga pozita e pune, krijimin e një kabineti radioterapie në një dhomë të zakonshme spitalore.
Të punosh 20 vite në radioterapi, mëson shumë mbi punën, nivelin e mbrojtjes, rregulloret. Ne për fatin jo të mirë jemi vendi i fundit në Europë që përdorin kobalto terapi.
Në Shqipëri ekzistonte shkolla praktike për këtë pjesë. Kisha dëgjuar shefat më parë ku thuhej se si ishte procedura.
Në shtator të 2021, rutina ime ishte të shkoja në sektor. Po flitej për një ngarkesë kobalti që kishte ardhur. U transmetuar një emision që radioterapia po vihet në funksion. Mësova se kobalti mbahej jashtë protokollit. Ai nuk është mjeti më i mirë që të trajtohen këto sëmundje. Ka alternative të tjera.
Nuk e besova kur më thanë kobalti mbahej në një dhomë të zakonshme. Nuk kishte kushte.
Kur përdoret kobalti, ka disa parime në radioterapi e radiologji. Parimet kryesore për kobaltin janë që duhet të mbahet vetëm aq sa të nevojitet. Nëse për 3 muaj nuk e përdor lëndën, duhet ta largoj patjetër nga kabineti. Nuk justifikohet qëndrimi në pritje edhe nëse i ke kushtet.
Nga natyra nuk është e magazinueshme, është si sahat me rërë që shkarkon për 5 vite. Nuk është më i përdorshëm.
Nisa përpjekjet për t’i bindur se kjo që po bëhej ishte gabim, se gjithçka do të shkonte dëm sepse kur të bëheshin provat ata që na monitorojnë do të thonin stop.
Ndërkohë që vonohej çështja unë bëra përpjekjet e mia.Takova shefen e shërbimit, që është përfaqësuese e gjithçkaje në onkologji, nga ana administrative.
Më dëgjoi, nuk u bind. Më pas mendova ta bëj zyrtare, i dërgova një email adminstratores së Onkologjikut që mban përgjegjësi për çfarë funksionon secila dhomë.
Po shkeleshin të drejtat e punonjësve sepse nuk u njoftuan mbi kushtet e punës, ku ka rrezatim apo ku jo.
Kjo më shtoi dyshimin se çfarë po ndodh sepse unë nuk isha i huaj.
E-mailin ia çova Silvës, e cila për dy javë nuk e pa fare. Nga kjo heshtje iu drejtova drejtorit të QSUT të kohës, që brenda ditës ia delegoi dikujt tjetër.
Nuk mund të bëheshin gabime sepse kemi të bëjmë me ngjarje të rënda, me situata si ajo e Çernobilit”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb