Çështja e Kosovës dhe Serbisë tash e një kohë po mbetet temë diskutimi në secilin takim që Kosova po zhvillon me ndërkombëtarët.
Një dialog i mirëfilltë si dhe përparim në bisedime po kërkohet në vazhdimësi nga palët, mirëpo e pagatshme për të avancuar del të jetë ende Serbia.
E së fundmi për të përparuar në dialog ka folur Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Metsola, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest.
Metsola ka thënë se me Osmanin kanë diskutuar për përpjekjet e Kosovës për një të ardhme evropiane, duke theksuar se angazhimi në në dialog duhet të çojë në përparim.
Ajo ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës ndaj Planit të Rritjes dhe për tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.
“Me Presidenten Vjosa Osmani, diskutova për përpjekjet e Kosovës për një të ardhme evropiane. Përshëndeta angazhimin e vendit ndaj Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimit gradual në tregun e përbashkët të BE-së. Angazhimi në dialogun Prishtinë-Beograd duhet të çojë në përparim”, ka shkruar Metsola në llogarinë e saj në platformën “X”.
Mirëpo duke filluar nga kjo deklaratë çfarë po paralajmëron Presidentja Metsola?
Mehmeti: Mos të ledhatohet Serbia
Faton Mehmeti
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Faton Mehmeti.
Ai thotë se nuk pritet të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi as në mandatin e Metsola.
Sipas tij, Kosova nuk guxon të shkëput kontaktet me BE dhe PE, të vazhdojë të jetë konstuktive dhe të mbrojë interesat e saj karshi agresionit politik të Serbisë.
“Nuk është ndonjë gjë e veçantë deklarata e zonjës Metsola, ky edhe është qëndrimi i PE dhe BE në tërësi. Retorikë e njohur dhe krejtësisht pa sukses qasja e PE dhe BE që për trembëdhjetë vjet bisedime nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret.
Nuk pres që edhe në mandatin e zonjës Roberta Metsola të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi në të cilën kanë dështuar. Megjithatë, Kosova nuk guxon të shkëput kontaktet me BE dhe PE, të vazhdojë të jetë konstuktive dhe të mbrojë interesat e saj karshi agresionit politik të Serbisë”, u shpreh ai.
Më tej, analisti thekson që nuk duhet të ledhatohet Serbia, përndryshe nuk mund të ketë përparim në dialog.
“Për të pasur sukses PE duhet të ndryshojë qasjen e saj, ndryshe do të jetë vazhdimësi e dështimit. Mos të ledhatohet Serbia, ndryshe ky proces s’do përfundojë asnjëherë”, foli Mehmeti për “Bota sot”.
Kelmendi: Nuk duhet kurrsesi të lejohet një shtet si Serbia pa u dënuar ndërkombëtarisht për dhunën e terrorin, për gjenocidin që ka bërë ndaj shqiptarëve
Muhamet Kelmendi
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ndërkombëtarët nuk duhet të kërkojnë nga Kosova të pranojnë Asociacionin.
Ai përmend edhe akuzat e PDK dhe LDK që Qeveria nuk ka platformë, mirëpo që të njëjtën asnjëherë nuk e kanë pasur Thaçi dhe Mustafa, të cilët nuk u kundërshtuan asnjëherë.
“Qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për Kosovën në raport me shtetin serb nuk i quaj unë përkrahje të kësaj asaj qeverie në Kosovë.
Përkundrazi!
Nga qëndrimet e faktorit të tillë në raport me Serbinë del qartë dhe kjo do të shihet shpejt me paraqitjen e Asociacionit si bazë për të ndërtuar. Me këtë de-fakto humbë Republika dhe nuk ka më funksionalitet shteti i Kosovës. Ky subjekt serb krijohet si shtet dhe përsëri nuk kemi njohje reciproke. Në kuadër të brendshme është gjë normale presioni që bëhet ndaj qeverisë Kurti. Natyrisht se të vjen rëndë kur sheh deputetët e PDK-së dhe të LDK-së duke kritikuar dhe akuzuar çështjen e mos krijimit të një platforme për dialog. Asnjëherë nuk ka pasur as z. Thaçi dhe as z. Mustafa ndonjë platformë. Ata e patën krijuar edhe Asociacionin. Dhe kurrë këto dy parti nuk i kundërshtuan këta në asnjë vend”, foli profesori.
Në fund, ai nënvizoi që nuk duhet kurrsesi të lejohet një shtet si Serbia pa u dënuar ndërkombëtarisht për dhunën e terrorin, për gjenocidin që ka bërë ndaj shqiptarëve.
“Republika e jonë nuk ka çka të humbë në raport me shtetin serb. Atë duhet qartësuar në Bruksel dhe kudo. Pra, dialog po, por jo në kërkesat serbe. Dialog për paqe dhe të ardhme, e kjo bëhet me çështjet që vendi i ynë i ka theksuar disa herë. Natyrisht se këtu prin njohja reciproke. Evropa dhe SHBA duhet të japin mësim shteteve tjera luftënxitëse dhe kriminale me dënimin e shtetit serb. Mos dënimi është mësim i rrezikshëm për paqen në Evropë e më gjerë. Pra, nuk duhet kurrsesi të lejohet një shtet si Serbia pa u dënuar ndërkombëtarisht për dhunën e terrorin, për gjenocidin që ka bërë ndaj shqiptarëve. Këtu nuk ka dhe nuk duhet të ketë lëshime”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.