​“Mori detyrë nga ky shtet”, zbulohet pse Serbia do eskalim situate në Kosovë - vjen thirrja e fortë për Qeverinë Kurti

2 hours ago 30

Raporti i fundit nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në lidhje me situatën e përgjithshme në Kosovë ka vënë theksin te pjesa veriore e vendit.

Guterres ka theksuar se “atmosfera në Kosovën veriore mbetet e tensionuar dhe potenciali për përshkallëzim vazhdon".

Ai u ka bërë thirrje palëve të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.

Në raportin në fjalë, sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, shihet tendenca e Serbisë për të eskaluar situatën e sigurisë në Kosovë. Ai ka thënë se qëllimi i Beogradit është defokusimi i forcave ndërkombëtare të sigurisë nga zhvillimet në luftën në mes të Ukrainës dhe Rusisë, në drejtim të “burimit të krizave” në Ballkan.

​“Në fakt, raportimi apo qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili në një raport ka ripërsëritur faktin se situata e sigurisë në Kosove, përkatësisht në veriun e vendit mbetet e tensionuar dhe potencialisht mund të kemi një përshkallëzim, i cili mund të ndodhë në çdo moment në atë pjesë. Edhe kësaj radhe, në këtë raport shihet qartë se baza e dyshimit, është pikërisht te përpjekja e vazhdueshme që ka Serbia për të eskaluar situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon, me qëllimin e vetëm, siç kemi thënë edhe në të kaluarën, de fokusimin e forcave ndërkombëtare të sigurisë nga zhvillimet që janë në luftën në mes të Ukrainës dhe Rusisë, në drejtim të zhvillimeve që ndodhin në Ballkan, përkatësisht në dy vendet si burim krizash, të cilat burime i konsideroi edhe vet shefi i CIA-s, i cili ishte për vizitë në Kosovë”, ka thënë Elezi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Image

Bedri Elezi

Teksa ka theksuar se detyra e Serbisë është e urdhëruar nga Rusia, eksperti ka shtuar se qëllimi për tensionim të situatës, është largimi i investitorëve të huaj nga Kosova.

Njëjtë si Guterres, Bedri Elezi mendon se dialogu është e vetmja mënyrë për të tejkaluar mundësinë e eskalimit.

“Kjo përpjekje e Serbisë sigurisht që është një detyrë, që është marrë nga Rusia, e cila ka një interes të theksuar për përshkallëzimin e situatës së sigurisë dhe defokusimin e forcave ndërkombëtare, njëkohësisht është edhe një përpjekje që ta mbajë Kosovën larg vëmendjes së investitorëve të huaj, nën arsyen e situatës së rëndë të sigurisë.

Ju e dini që çdo përpjekje, ndonjë konference apo organizimi që ka të bëjë me angazhim ekonomik në rajon, veçanërisht në Kosovë, pikërisht bazohet në situatën e sigurisë apo planifikimeve rreth zhvillimeve në aspektin e sigurisë. Në këtë aspekt, kujtoj që edhe Sekretari i OKB-së ka riktheksuar nevojën që të dy vendet të përafrojnë qëndrimet e tyre, të punojnë ngushtë për zbatimin e marrëveshjeve, sepse është e vetmja mënyrë për të tejkaluar mundësinë e eksalimit të situatës së sigurisë dhe njëkohësisht është e vetmja mundësi për t'i dhënë akoma fuqinë e duhur dialogut dhe për të përfunduar të gjitha çështjet në drejtim të zhvillimeve politike dhe atyre të sigurisë”, është shprehur Elezi.

Ai ka kërkuar veprime konkrete nga institucionet vendore, në drejtim të forcimit të marrëdhënieve me ndërkombëtarët.

“Mendoj se institucionet e Kosovës, duhet të jenë ato që duhet të ndërmarrin veprime, përkatësisht Qeveria e Kosovës dhe mekanizmat dhe institucionet e tjera, të marrin detyra dhe përgjegjësi të cilat dalin pikërisht prej këtyre raporteve të NATO-s apo BE-së, në mënyrë që minimalisht ne si shtet të reflektojmë karshi kërkesave ndërkombëtare, të cilat janë vërtetë për të ruajtur situatën e sigurisë në vend dhe Gadishullin Ballkanik.

Në rast se ne do të bëjmë detyrën tonë, atëherë sigurisht që do të forcojmë marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar dhe do të jemi në përparësi sa i përket çështjeve, të cilat kanë të bëjnë me vlerësimin e shkallës së sigurisë dhe njëkohësisht edhe aktiviteteve, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë ekonomike, siç janë investimet e drejtpërdrejta apo indirekte të vendeve të fuqishme, qoftë përmes zhvillimeve që kanë të bëjnë me programe ndërkombëtare, amerikano-evropiane apo edhe përmes ndërmarrësisë, të cilat do të inkurajohen pikërisht duke u bazuar në situatën e sigurisë në vend”, ka shtuar eksperti Elezi për “Bota sot”.

Shefi i OKB-së raport, ka kritikuar edhe “veprimet e njëanshme” të Qeverisë së Kosovës, ndër të cilat përmend mbylljen e institucioneve të financuara nga Serbia dhe hapat drejt rihapjes së urës së Mitrovicës, si dhe kufizimet ndaj mallrave serbe dhe zbatimi i rregullores së re për përdorim të valutave.

“Veprime të tilla jo vetëm që prishin jetën e përditshme dhe të drejtat socio-ekonomike të të prekurve, por gjithashtu rrezikojnë përparimin dhe stabilitetin kolektiv që janë thelbësore për një të ardhme paqësore dhe të begatë të përbashkët nga të gjithë”, ka thënë Guterres në këtë raport.

Read Entire Article