“Na provokuan! Beogradi solli ushtrinë 50 metra afër kufirit me Kosovën”/ Eksperti komenton shqetësimin e Kurtit

3 hours ago 21

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, shprehu shqetësimin e tij rreth dy javë më parë se Serbia ka provokuar sërish, duke i lëvizur trupat e saj rreth 50 metra afër vijës kufitare me Kosovën në komunën e Kamenicës.

Kurti ka thënë se institucionet përkatëse të sigurisë së Kosovës kanë detektuar menjëherë këto lëvizje provokuese nga ushtria e Serbisë, të cilat sipas tij, kishin për synim nxitjen e tensioneve.

“Kur e kanë parë që i kemi vërejtur dhe xhiruar, kanë ikur me shpejtësi e janë larguar për në brendi të territorit të tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë investime të paprecedenta në ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të strukturave të inteligjencës, sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë të gatshme për të parandaluar çdo kërcënim ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë”, ka thënë kryeministri Kurti.

Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka reaguar duke sqaruar se ishte informuar paraprakisht nga Forcat e Armatosura të Serbisë për një aktivitet të zakonshëm patrullimi pranë vijës kufitare.

KFOR gjithashtu shtoi se të njëjtat informacione i janë komunikuar edhe Policisë së Kosovës, e cila ka qenë në dijeni të situatës.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Hysen Gecaj, ka thënë se deklarata e kryeministrit Kurti për lëvizjen e ushtrisë serbe, ishte me motive të kundërta. Sipas tij, ajo kishte për qëllim shpërqëndrimin e vëmendjes nga debati për ushqimin e ushtrisë së Kosovës.

“Natyrisht që Serbia është faktor destabiliteti në rajon e jo vetëm për Kosovën, por deklarata e kryeministrit Kurti lidhur me lëvizjen e trupave serbe në kufi me Kosovë ishte një deklaratë thjeshtë me motive krejt të kundërta, nga ato të cilat kryeministri i servoi për opinion.

Image

Hysen Gecaj

Një deklaratë e tillë kishte për qëllim që të shpërqendrohet vëmendja nga skandali i madh i tenderit për ushqim të FSK-së”, ka thënë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Ai ka rikujtuar se për aktivitetin e ushtrisë serbe ishin njoftuar KFOR-i dhe Policia e Kosovës.

“Se është ashtu flet edhe fakti se KFOR demantoi deklaratën e kryeministrit duke njoftuar opinionin se patrullimi i palës serbe ishte i planifikuar dhe koordinuar paraprakisht me KFOR-in për çka ishte njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila sigurisht që e kishte njoftuar edhe kryeministrin Kurti për këtë aktivitet të xhandarmërisë serbe në brezin kufitar me Kosovën brenda territorit serb”, ka shtuar eksperti.

“KFOR-i është i pozicionuar mirë për të monitoruar rregullisht situatën përgjatë kufirit. Vlerësojmë se ky aktivitet i fundit i Forcave të Armatosura të Serbisë nuk ka përcaktuar ndonjë ndryshim të situatës së sigurisë në zonën në fjalë. Është e rëndësishme të vazhdohet të sigurohet koordinimi dhe komunikimi në kohë për të parandaluar keqkuptimet.

Zonat e sigurisë tokësore dhe ajrore, të krijuara përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake (MTA) të vitit 1999, u relaksuan plotësisht në vitin 2015. Në përputhje me MTA, vetëm komandanti i KFOR-it, sipas miratimit i Këshillit të Atlantikut të Veriut (organi vendimmarrës i NATO-s) ka autoritetin për të rifutur ose relaksuar zonat e sigurisë”, thuhej në njoftimin e KFOR-it.

comment

Read Entire Article