Anëtarja e kryesisë së PD Izmira Ulqinaku ftoi qytetarët shkodranë që të shtunën në orën 12:00 të marrin pjesë në marshimin e organizuar nga opozita si shenjë solidariteti pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shkodër me tre viktima dhe një të plagosur. Një ditë pasi kreu i PD-së Sali Berisha tha se mosbindja civile do të vijojë në Shkodër pas ngjarjes së rëndë, Ulqinaku deklaroi se Shkodra është bërë si Palermo sa i përket krimit.
“Në emër të Partisë Demokratike, i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Shkodrës, të gjithë prindërve që kanë vendosur të rrisin dhe edukojnë fëmijët në këtë qytet, të bëhen bashkë në marshimin protestë, ditën e shtunë më datë 2 nëntor, ora 12, para Bashkisë Shkodër”, tha Ulqinaku.
Sipas saj, Shkodra qyteti i artit e kulturës, qyteti i këngës e humorit, sot është transformuar në kopjen e shëmtuar të Palermos.
“Shkodra, zonja e madhe, tashme është kryeulur nga kthetrat e krimit. Me bekimin e Edi Ramës, qyteti jonë është nënshtruar nga të fortët, të cilët sundojnë qytetin.
Pasiguria ndihet kudo! Situatën nuk e zgjidh dot Rilindja e as banda e policisë. Ata janë palë në fushata, për të ruajtur njëri-tjetrin.
Ky terror që po instalon Edi Rama në Shkodër, do t’i kthehet shpejt në boomerang! Ditën e shtunë, ne do të marshojmë për liri.
Do të marshojmë kundër kthetrave të krimit.
Do të marshojmë për t’i kthyer lavdinë Shkodrës; për t’i kthyer qetësinë banorëve të saj. Do të marshojmë për rendin e sigurinë e munguar.
Bashkohuni me ne, të shtunën, në pedonale para bashkisë, ora 12:00, në marshim!”, deklaroi përfaqësuesja e PD.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb