News24 në bordin e anijes amerikane “Trenton”, komandanti Bateson: Situata e sigurisë me probleme komplekse, gati për t’u dislokuar në çdo moment!

9 months ago 26

Ankorimi i anijes së Forcës detare amerikane “Trenton” në portin e Durrësit demonstroi sërish aftësitë e saj unike dhe strategjike të transportit. Misioni i saj kryesor është të mbrojë interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatëve dhe partnerëve si dhe të ruajë sigurinë dhe stabilitetin në detin Mesdhe dhe Europë. Një grup xhirimi i News24 u ftua të vizitojë anijen gjigante.

E ndërtuar në vitin 2015, pjese e Flotës se Gjashtë të SHBA anija logjistike mund të dislokohet në çdo zonë të detit Mesdhe brenda 3 ditëve kur situata e kërkon.

“Ajo që është atësi unike e anijes sonë është se jemi shumëfunksionësh dhe operacional. Duke filluar nga logjistika deri tek misionet humanitare dhe ndaj fatkeqësive natyrore, USNS Trenton (T-EPF 5), është unike pasi operon me shpejtësi shumë të madhe në det kudo në detin Mesdhe”, u shpreh Damon Bateson, komandanti i anijes “USNS Trenton”.

Siç përmendi dhe komandanti Damon Bateson , “Trenton” konsiderohet një nga anijet transportuese më të shpejta të Forcës Detare amerikane, me aftësinë për të ofruar njësi të gatshme operacionale për të mbështetur në mënyrë fleksibël një gamë të gjerë misionesh, duke transportuar trupa, armatime dhe pajisje ushtarake dhe luftarake të tonazheve të rënda. Prezenca amerikane ka rëndësi të veçantë në rajonin tonë në kohën kur arkitektura e sigurisë është e tensionuar.
Komandanti Bateson teksa afirmon vlerat e përbashkëta dhe partneritetin mes SHBA-së dhe thotë se bashkëpunimi i ngushtë mes anëtareve te Aleancës është thelbësore.

“Ashtu sikurse është shprehur lidershipi ynë më parë, ne e kuptojmë se situata e sigurisë në rajonin e Ballkanit është fluide. Kjo anije si dhe anijet e tjera të forcës detare amerikane do të vazhdojnë të operojnë të koordinuara me aleatët tanë të NATO-s, ashtu sikurse punojmë me partnerët shqiptarë për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në detin Mesdhe dhe në Europë. Nëse shikoni lajmet ka shumë ngjarje që po ndodhin dhe po përballemi.
Për ne është shumë e rëndësishme të punojmë me partnerët për të zgjidhur bashkë këto probleme komplekse që ekzistojnë kudo në botë.

Gjithmonë do të punojmë dhe do të ndërtojmë partneritet sa më të ngushta me aleatët dhe miqtë tanë”-, u shpreh komandanti i anijes “Trenton”.

Vizita e planifikuar katër ditore nxjerr në pah fuqinë e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e mbrojtjes. Me superlativa komandanti amerikan flet edhe për partneritetin me Forcat e Armatosura Shqiptare. Stemën e Forcës Detare Shqiptare e kanë vendosur në këndin e nderit brenda anijes.

“Shqipëria është një aleat dhe partner i rëndësishëm i NATO-s me të cilën ne punojmë dhe kemi një bashkëpunim përgjatë shumë viteve. Miqtë duhet të takohen dhe të punojnë së bashku. Me këtë vizitë ne duam të njohim kulturën shqiptare me tepër si dhe të angazhohemi me partnerët tanë shqiptarë për të zhvilluar dhe çuar përpara lidhjen tonë”, tha komandanti amerikan.

“Trenton” ka në misionin e saj ndihmën humanitare. Ekuipazhi ka shpëtuar jetë nga vdekja e sigurt. “Në vitin 2018 anija që drejtoj shpëtoi nga mbytja e sigurt 40 jetë refugjatësh që kishin mbetur në mes të detit në Mesdhe” u shpreh Bateson.

Komandanti i anijes shprehet se është informacion i klasifikuar të bëjë publikë kapacitetet maksimale të “Trenton” por shton se ekuipazhi përbëhet 312 ushtarakë dhe marinarë civilë të cilët kur ne vizitonim anijen, ishin duke eksploruar qytetin e Durrësit apo Tiranës këtë të premte . Ndjesi të veçantë iu ka lënë mikpritjen e shqiptarëve. “Ne jemi rikthyer në portin e Durrësit, mund t’ju them se ekuipazhi ka rënë në dashuri me Shqipërinë, më thanë se shqiptarët janë kaq të sjellshëm. U kanë pëlqyer sitet arkeologjikë të Durrësit si Amfiteatri dhe Kulla Veneciane. Më thanë se kanë shijuar kulinarinë tuaj”,-u shpreh komandanti i anijes “Trenton”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article