Nga heqja e mandatit të Belerit nga KQZ, te shpallja e zgjedhjeve të reja në Himarë, çfarë pritet të ndodhë më 4 gusht

3 months ago 7

Dje ishte një ditë vendimtare për fatin e mandatit të Fredi Belerit. Pas shumë diskutimesh, KQZ vendosi që t’i hiqte mandatin e kryebashkiakut Fredi Belerit, i cili ndodhet pas hekurave për blerje votash. Ky i fundit ndonëse bëri disa herë përpjekje për marrë leje në GJKKO për t’u mandatuar, kjo kërkesë u rrëzua. Beleri siguroi votat dhe fitoi zgjedhjet e 14 majit në Bashkinë e Himarës, por dy ditë para se të mbaheshin Lokalet, u arrestua për blerje votash, ndërsa është dënuar me 2 vite burg.

Ky ishte një vendim i pritshëm nga ana e KQZ, gjë që e konfirmoi edhe vetë Beleri gjatë fjalës së tij. Ai tha se ishte i vetëdijshëm që do t’i hiqej mandati. Mjaftuan vetëm pak orë nga mbledhja, ndërsa kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u takua me presidentin Bajram Begaj pë të folur mbi datën e zgjedhjeve të parakohshme në Himarë. Ndërkohë ky i fundit doli me një dekret, ku njoftoi dhe datën e re të zgjedhjeve. Do të jetë pikërisht 4 gushti data në të cilën do të mbahen zgjedhjet e reja bashkiake në Himarë.

“Sh.T.Z.Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore”, thuhet në dekret. Aktualisht institucioni drejtohet nga një kryetar i komanduar, Arqile Bollano. Tashmë pritet që palët të zbulojnë kandidatët për zgjedhjet lokale që do të mbahen në këtë bashki.

DEKRETI
Sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve, brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.

Kryetari i zgjedhur i bashkisë Himarë është gjendur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj thirri në konsultë z. Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gadishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki, brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.

Pas kësaj konsulte, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z.Bajram Begaj dekretoi datën 4 gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article