“Nga Partia Komuniste te dritaret, rrugicat e vilat ne Lalz”, shfaqja “Testamenti” e Bungos, Zhusti: Rrëzohen mite, personazhi jeton në bunker…

9 months ago 8

Leka Bungo dhe Viktor Zhusti vijnë para publikut me një premierë që premton të qeshura dhe reflektim. Vepra “Testamenti” shkruar nga Bungo i jep Zhustit rolin e një komunisti. Kuqo bart misionin e rrëfimtarit e dëshmitarit në një komedi të zezë që na zhvesh nga mitet e keqkuptimet përmes teatrit.
“Karakteri është i veçantë dhe i çuditshëm. Sa tokësor aq edhe i fandaksur. Historia që përfshihet në komedi nis që nga 1941 që u themelua Partia Komuniste dhe deri më 1992 kur ra diktatura. Por ky kufi kohor nuk është i saktë, sepse komedia përfshin edhe ngjarje të vitit 2023. Autori, Leka Bungo duke krijuar një personazh të fandaksur si Kuqo, bën fluturime pindarike që nga 1941 deri më 2023. Është një personazh që vetëm një humor si ai i Leka Bungos mund ta krijojë”, thotë aktori Viktor Zhusti në një intervistë për Balkanweb.

Për aktorin satira është therëse, e zgjuar dhe gjurmëlënëse. Nga vetë titulli “Testament”, vepra lë një mesazh që i drejtohet publikut. Kuqo, gjen gënjeshtra në realittet dhe kritikon mënyrës si shkruhet historia. Ai me testamentin e tij do të vërë pikat mbi i duke dashur të japë historinë e tij.
Vepra vë në peshore diktaturën dhe demokracinë, duke u marrë me “vitin e mbrapshtë 1992 kur u rrëzua partia” por edhe për vilat në Gjirin e Lalzit. Zhusti vëren se pjesa që vjen premierë në Teatrin Kombëtar më 31 janar, ndërsa merret me plus minuset e dy sistemeve politike, nxjerr në pah edhe se kush mbajti në këmbë diktaturën, cilët qenë heronjtë e saj, por edhe ata që mbajnë në këmbë pseudodemokracinë.

A denoncon vepra të shkuarën a të tashmen? Kuqo nuk denoncon por përpiqet të ngulmojë se historia e vërtetë është kjo që di ai. “Kuqo është personazh që do ta duan edhe të majtët edhe të djathtët sepse ai luan në të dyja portat. Gjysmë i fandaksur si Shvejku e gjysmë Don Kishot, veprat si kjo, thotë Zhusti me të qeshur vlerësohen pas vdekjes së autorit.

Kur veprat trajtojnë ngjarje e periudha historike, publiku pret që ose të forcohen mite ose të rrëzohen mite. Në këtë rast, mitet bien. “Kjo është esenca e shfaqjes. Rrëzon mitet e sistemit të kaluar komunist dhe mitet e sistemit demokratik. E para bie miti që sistemi komuniste ishte sistemi i barazisë e drejtësisë së njeriut, po ashtu ndarja e tokave por më pas u krijua blloku ku u futën udhëheqësit, “për të qenë sa më afër popullit”. Pjesë tjetër është rrëzimi i miteve të demokracisë, janë problemet e të përndjekurve që nuk kanë marrë dëmshpërblimin. Është thënë që prona do i shkojë të Zotit”, thotë Zhusti.

Por pse duhet publiku të vijë të shohë shfaqjen. Aktori i monokomedisë, Zhusti veçon mençurinë e veprës në një anë dhe sepse “gjithë ato që publiku i mendon, ato që thuhen në penxhere, të gjitha ato që thuhen nëpër rrugica, ekrane dhe në radio do t’i diskutojë e shikojë në skenë”.
Kuqo, personazhi që mbetet besnik i komunizmit, që edhe kur mendon të vrasë veten vë në dukej që nuk e tradhton idealin. Kësulën e mban të kuqe, mban një kapele kineze si ajo e Enverit në Drilon. Ka një gjë që gjetja është interesante. Skenografia siç e shihni është një bunker. Sepse Kuqo, ai mbrohet në bunkerin e vet, në bunkerin e ideve të tij, të jetës së tij, të filozofisë së tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article