Nga prezantimi para 3 vjetësh para demokratëve të Elbasanit, te mesazhi i koduar “Ti e di shumë mirë çfarë mesazhesh ke”, si u prish brenda pak kohësh miqësia Bardhi- Açka

9 months ago 6

Tre vjet më parë, Gazment Bardhi në cilësinë e kryesuesit të listës së Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit prezantonte Flutura Açkën në zonën e Kalasë së kësaj bashkie me një audiencë të zgjedhur intelektualësh.

“Jam veçanërisht i kënaqur që ishin kaq shumë miq të nderuar sot në Elbasan në mbështetje të Fluturës, të ekipit tonë dhe të angazhimeve që PD ka marrë për të sjellë ndryshimin më 25 Prill”, shkruante Bardhi pak minuta pas takimit në një postim në faqen e tij në Facebook.

Për më shumë se 30 ditë, Bardhi dhe Açka bënë fushatë së bashku, dolën të dy deputetë falë edhe renditjes preferenciale në listat e votimit dhe në shtator zunë vendet e tyre në Parlament.

Shpallja non grata e ish kryeministrit Berisha nuk i përçau dy deputetët e Elbasanit, teksa ata u pozicionuan në grupin që ishte rival me Rithemelimin. Por përçarja mes tyre erdhi kur “në lojë” u fut Lulzim Basha me kërkesën e tij për tu rikthyer në krye të PD-së, pasi kishte dhënë më parë dorëheqjen.

Bardhi doli kundër Bashës, ndërsa Açka e mbështeti atë, duke bërë të mundur që me votën e saj në kryesinë e PD-së të legjitimohej rikthimi i Bashës.

Pas replikash në distancë, herë përmes rrjeteve sociale e herë duke mos përmendur emra, Bardhi dhe Açka u përplasën sot ashpër në Komisionin e Medias, teksa kryetari i grupit i kërkonte të respektonte votën e demokratëve që janë në protestë, ndërsa kryetarja demokrate e komisionit tentonte të vijonte mbledhjen, të cilën në fund u detyrua ta thërriste online.

Përplasja mes tyre arriti deri aty sa Bardhi i shkuli Açkës mikrofonin që të mos vijonte mbledhjen, teksa ajo e fundit i dha edhe një mesazh të koduar: “Ti e di shumë mirë me Flutura Açkën çfarë mëkatesh ke…”

Top Channel

Read Entire Article