Shtyhet për ditën e nesërme vijimi i mbledhjes së Komisionit Hetimor për konçensionet në shëndetësi, atje ku pritej të jepej dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” me urdhër të SPAK.
Beqja u paraqit me pranga në duar, që u përpoq ti mbulonte me një xhaketë që e kishte hedhur mbi to, në Kryesinë e Kuvendit rreth orës 10:30, ndërsa për 9 orë, për shkak të mosdakordësisë mes pozitës dhe opozitës, nuk u arrit që ai të jepte një dëshmi.
Beqja la mjediset e Kryesisë së Kuvendit rreth orës 19:40, me pranga në duar, të mbuluara me xhaketë, ashtu sikundër hyri në godinën e Parlamentit, raportoi gazetari i News24, Ergys Gjençaj.
Shkak i përplasjeve ishte kërkesa e bërë nga Beqaj, i cili tha se do të paraqiste me një power point, por nuk iu mundësia kjo gjë, për shkak të kundërshtisë së dhënë nga Albana Vokshi, kryetare e Komisionit, e cila tha se teknikisht ishte e pamundur. Kaq mjaftoi që anëtarët socialistë të Komisionit të insistonin deri në fund në përmbushjen e kësaj kërkese, duke mos dhënë dakordësinë që Beqaj të jepte dëshminë e tij pa iu plotësuar kërkesa që kishte.
Mbledhja e komisionit u karakterizua nga debate të shumta veçanërisht mes Albana Vokshit dhe Plarent Ndrecës, ku nuk kanë munguar as batutat dhe akuzat personale.
Për shkak të debateve mbledhja u ndërpre disa herë deri në orën 19:30, kur u njoftua se ajo do të zhvillohej ditën e mërkurë.
Mandati i Komisionit Hetimor përfundon të enjten, ndërsa opozita ka kërkuar një shtyrje të afatit me pretendimin se ende nuk janë pyetur të gjithë dëshmitarët që ky komision ka në listë. Në anën tjetër socialistët janë shprehur kundër shtyrjes së afatit.
Komisioni Hetimor për koncensionet në shëndetësi ka shtyrë dy herë afatet e tij kohore, ndërsa nuk dihet nëse seanca plenare do të miratojë edhe një kërkesë të 3-të nga opozita. Kjo e fundit ka insistuar që të dëshmojnë në Komision, Kryeministri Edi Rama dhe biznesmenia Vilma Nushi.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb