Një masiv pyjor në fshatin Ketë në Xibër rrezikohet nga flakët.
Gazetari Enver Doçi raporton për Balkanweb se vatra e fuqishme e zjarrit është aktivizuar në malet e Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit. Nga informacionet e para mësohet se zjarri fillimisht ka nisur në anën e fshatit Mal Vilëz të Njësisë Administrative Zall – Bastar të Tiranës.
Për shkak të erës së fortë flakët janë përhapur me shpejtësi duke bërë që zjarri të zgjerojë perimetrin. Vatra e zjarrit ka prekur edhe një nga zonat më të bukura të fshatit Ketë, e cila është me pemë halore Ahu.
Sipas banorëve, flakët po përhapen me shpejtësi në të gjithë masivin pyjor duke bërë që të rritet rreziku për një dëm ekonomik shumë të madh.
Nëse nuk do të ketë ndërhyrje të shpejtë, zjarri rrezikon të përfshijë gjithë masivin pyjor me pemë ahu në zonën e Xibrit, ndoshta një nga zonat më të paprekura dhe të ruajtura mirë në të gjithë vendin tonë.
Ndërkohë, mësohet se drejt vatrës së zjarrit është nisur shërbimi zjarrfikës i Klosit, i cili do të asistojë në anën e fshatit Ketë, ndërsa kërkohet ndërhyrje edhe nga Tirana në mënyrë që të arrihet që vatra e zjarrit të vihet nën kontroll.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb