Prokurorët në Francë kanë nisur një hetim për vrasje pasi pesë trupa u gjetën në një qytet në veri-lindje të Parisit.
Sipas mediave lokale, viktimat janë një grua dhe katër fëmijët e saj të vegjël, përcjell Telegrafi.
Trupat e tyre u gjetën në qytetin Meaux i cili është pak më shumë se 41 km (25 milje) nga kryeqyteti francez.
Ata u zbuluan në një apartament, tha prokurori vendas për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
Sipas faqes së lajmeve Actu17, e cila raportoi për herë të parë rastin, policia është në kërkim të babait 33-vjeçar, i cili është “në arrati”.
Prokurori Jean-Baptiste Bladier konfirmoi për mediat franceze se shërbimi i policisë gjyqësore të Versajës po hetonte.
Rajoni i Parisit ka parë së fundmi një seri vrasjesh të fëmijëve:
Në fund të nëntorit, një burrë 41-vjeçar rrëfeu se kishte vrarë tre vajzat e tij, nga 4 deri në 11 vjeçe, dhe u dorëzua. Policia i gjeti ato të vdekura në shtëpinë e tij në qytetin Alfortville, në periferi juglindore të kryeqytetit.
Ndërsa në tetor, një polic vrau tre vajzat e tij përpara se të vriste veten në shtëpinë e tij në Vemars në Val-d’Oise. /Telegrafi/