Ngjarjet më të rëndësishme botërore që shënuan vitin 2023

10 months ago 28

Tërmeti që vrau më shumë se 45 mijë viktima në Turqi dhe Siri në fillim të vitit shënoi fillimin e vitit 2023, në fund të të cilit bota është dëshmitare e një konflikti të tmerrshëm mes Izraelit dhe Hamasit, ku më së shumti vuajnë civilët në Gaza.

Viti filloi me njoftimin e Kinës se kishte mposhtur pandeminë e coronavirusit.

Tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë lindore në muajin shkurt vrau më shumë se 45 mijë njerëz dhe la pastrehë pothuajse 1.2 milion qytetarë.

Lufta midis Ukrainës dhe Rusisë vazhdoi me sulmet e formacionit paraushtarak Wagner në Bahmut, ndërsa në përleshjet gjatë agresionit rus u dëmtua edhe gazsjellësi Nord Stream.

Udhëheqësi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin tentoi një rebelim kundër presidentit rus, Vladimir Putin në muajin qershor, por ai përfundoi brenda një dite. Prigozhin vdiq dy muaj më vonë në një aksident me aeroplan.

Për shkak të luftës në Ukrainë, Suedia dhe Finlanda kanë vendosur t’i japin fund neutralitetit të tyre ushtarak dhe kanë aplikuar për anëtarësim në NATO.

Finlanda u bë anëtare, ndërsa Suedia e përfundon vitin 2023 pa miratimin e parlamenteve të Turqisë dhe Hungarisë për anëtarësim në Aleancë, pavarësisht pëlqimit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili mori sërish mandatin presidencial në muajin maj.

Prilli solli ndryshime tek fqinjët e Malit të Zi, pasi politikani më jetëgjatë në rajon, Milo Gjukanoviq, humbi zgjedhjet presidenciale përballë Jakov Milatoviqit.

Në muajin shtator, forcat e armatosura të Azerbajxhanit nisën “operacione lokale kundër-terroriste” në rajonin e Nagorno-Karabakut për të rivendosur rendin kushtetues duke çarmatosur formacionet ushtarake armene.

Tensionet në Kaukazin e Jugut rreth enklavës së shkëputur, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, kulmuan me dërgimin e trupave të Azerbajxhanit për të nisur një sulm në Nagorno-Karabak.

Baku e ktheu sovranitetin mbi atë zonë, por kjo rezultoi në emigrimin e gati 100 mijë armenëve, domethënë pothuajse e gjithë popullsia armene e enklavës u largua nga ai territor.

Në muajin tetor, Hamasi kreu një sulm terrorist në një festival muzikor në Izrael, duke vrarë më shumë se 360 njerëz nga 1200 të vrarë gjatë inkursionit të Hamasit.

Mbi 21100 palestinezë u vranë në hakmarrjen e Izraelit kundër Gazës, ndërsa organizatat ndërkombëtare deklarojnë se 2.3 milionë palestinezë janë në prag të katastrofës ndërsa 90 për qind kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë qasje të kufizuar në ushqim dhe ilaçe. /Telegrafi/

Read Entire Article