Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi këtë të hënë hapjen e 10% të kutive të zgjedhjeve të 14 majit për bashkitë, përfshi edhe ato të Kukësit më 24 shtator, për të kontrolluar nëse vota është numëruar dhe lexuar ashtu siç qytetarët e kanë shprehur, apo komisionerët kanë abuzuar duke e deformuar vullnetin e tyre.
Shorti që përzgjodhi rastësisht qendrat e votimit në të gjithë vendin që do i nënshtrohen procesit të këqyrjes paszgjedhore u hodh më datë 23 tetor.
Rinumërimi i votave po kryhet nga specialistë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por partitë mund të monitorojnë nga afër të gjithë procesin që do të jetë i hapur edhe për publikun.
Ky është një ndryshim i viteve të fundit në Kodin Zgjedhor, përmes të cilit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve detyrohet që pas zgjedhjeve të rinumërojë 10 % të votave, për të kontrolluar për abuzime. Qëllimi ka qenë që të frenohej vjedhja e votave nga numëruesit, sepse të gjithëve potencialisht mund t’u bjerë shorti të verifikohen pak muaj më pas.
Hera e parë që kjo procedurë u krye, ishte për zgjedhjet e fundit parlamentare. Hapja e kutive tregoi se kishte pasur lëvizje të votave, jo nga një parti tek tjetra, por brenda vetë kandidatëve të së njëjtës parti. Meqë votohej edhe për partinë edhe për deputetin e preferuar nga lista e partisë, numëruesit kishin bërë zhvendosje të orientuara votash, nga një kandidat tek një tjetër, brenda të njëjtës familje politike. Asokohe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi kallëzime penale për këta numërues, por ndëshkimi i tyre thuajse nuk u pa.
Top Channel