Nisi boksin që të mos bullizohej, Luis Gjolena synon të jetë kampion bote

10 months ago 17
16:16 07/12/2023

Nisi të merrej me sport që i vogël, pasi për shkak të shëndetit të tij të tepërt, moshatarët e tij e tallnin, ndërsa e gjeti veten tek boksi rreth 6 vite më parë.

“Kur kam qenë i vogël, siç është ajo shprehja ‘bol’, sikur u ndjeja pak keq…”

Ky është Luis Gjolena. Tashmë 18-vjeçar dhe një nga talentet e këtij sporti në Shqipëri qëtë gjithë e thërrasin ‘Bisha’.

Njohësit e boksit në Shqipëri vlerësojnë teknikën e tij. Luisi vetë thotë që kopjon 3 boksierë të famshëm.

“Tek Canelo shoh mbrojtjen dhe lëvizjen e kokës, tek Gervonta shoh kundërgoditjet, kurse tek Usyk përdor lëvizjet e këmbëve. Unë kopjoj nga këta dhe bëj stilin tim, Luis Gjolena”.

Eudart Dalipi që e stërvit prej dy vitesh, ndërsa i vlerëson potencialin që zotëron, nuk nguron ta kritikojë nga ana sportive, por edhe t’i japë këshilla nga ana njerëzore.

“Peshat e rënda, një grusht shkon fatal. I them shpesh Luis kujdes duart. Po e bëre edhe njëherë tjetër, unë do të hedh peshqirin, i them. Ajo jeta që bëhet në Instagram është komplet false, dhe i them Luisit mos u ndiko shumë nga rrjetet sociale, shiko jetën tënde, merru me sportin, mos abuzo”.

Luisi ka ambicie për të qenë kampion bote në federatat më të njohura të boksit, gjithashtu edhe të ngrejë sa më lart flamurin e Shqipërisë. Për të rinjtë arriti medalje bronxi në botëror. Ndërsa është në mëdyshje të ndjekë studimet e larta në universitetin e sportit apo akademinë e forcave të armatosura. Por ëndrrat e tij janë të shumta, madje edhe të ndryshme.

“Mua më pëlqen të gatuaj shumë, por më shumë jam i dhënë pas agroturizmit, pse jo të kem një restorant timin dhe të jem shef”.

Luis Gjolena ka mentalitet kampioni dhe megjithë vështirësitë do të ecë para në jetë.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article