Javë më parë Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri arrestoi kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Arrestimi erdhi 5 vite pas hetimeve intensive për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror, që janë bashkuar në një dosje.
Ky lajm bëri bujë të madhe në opinionin mbarë shqiptar.
Edhe Kosova ndër vite është përballur me fenomenin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare nga zyrtarët e lartë.
Raportet ndërkombëtare, vendin tonë e kan radhitur në rangjet më të ulëta për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e pasurisë së Pajustifikueshme u pa si "një dritë në fund të tunelit" për sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.
Por, a është e mjaftueshme kjo byro kur dihet se rrënjët e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në qeverisjet e Kosovës ndër vite janë të thella.
A i duhen Kosovës organet si SPAK-ut dhe GJKKO për ta ç’ rrënojsur krimin dhe korrupsionin?
Në lidhje me këtë temë, ka folur për gazetën “Bota sot” analisti Zejnullah Jakupi, i cili ka theksuar rëndësinë e krijimit të një SPAK-u të pavarur në Kosovë për të luftuar korrupsionin, duke nënvizuar se një institucion i tillë është thelbësor për funksionimin e duhur të shtetit.
Zejnullah Jakupi
Mirëpo, ai shpreh shqetësime për ndikimin politik në SPAK-un shqiptar, duke e lidhur këtë me arrestimet e figurave të opozitës, si Ilir Meta dhe Sali Berisha, dhe thekson se një SPAK i vërtetë do të duhej të ishte në gjendje të ndiqte të gjithë, përfshirë kryeministrin Rama.
“Besoj se një SPAK për Kosovën është shumë i rëndësishëm në mënyrë që të luftohet korrupsioni, sepse pa luftimin e tij nuk mund të funksionojë shteti si duhet. Kryesore duhet të jetë që ky institucion të mos jetë i ndikuar politikisht dhe kjo është vështirë, sepse po shihet edhe në Shqipëri me arrestimin e ish-presidentit Ilir Meta dhe akuzat se SPAK po ndjek vetëm kundërshtarët e Edi Ramës, ndërsa opinionistët atje dhe natyrisht edhe qeveria shqiptare e thotë se SPAK është krijuar nga amerikanët. Pra, se ka diçka në këtë mes mund të jetë e vërtetë se janë eliminuar politikisht dy figura qendrore të opozitës, pra të ish-presidentit dhe kryetarit të PD-së Sali Berisha dhe tani ish-presidenti Ilir Meta. Një SPAK i pavarur do ishte nëse do mund ta arrestonte kryeministrin Rama qoftë në bazë të një akuze të rëndomtë dhe dihet se kjo nuk bëhet, ose sikur ta thërriste në intervistim etj do të ishte një signal, por kjo nuk ndodhë, pra ne e dijmë se institucionet në Shqipëri nuk janë të pavarura, vazhdimisht i shërbejnë partisë në pushtet. Pra, njerëzit e dinë në Shqipëri se sa i “pastër” është Sali Berisha , i pa korruptuar ose Ilir Meta dhe natyrisht nuk mund të jetë ndryshe as me Edi Ramën prandaj duket se këtu nuk po shkon si duhet. Urojmë dhe do ishte shumë e mirëseardhur sikur vërtetë Edi Rama të ishte i ndryshëm nga këta dy të parët. Por nuk është dhe nuk mund të jetë sepse janë larë në të njëjtin pus. Dhe nëse vazhdon ky avaz dhe ky politizim pastaj kur të vije në pushtet PD vazhdon avazi i ndjekjes dhe i persekutimit të PS-ë dhe kështu tutje. Shoqëria shqiptare akoma nuk është civilizuar që të kuptojë se si ta luajë lojën fer, i kemi po ato elita të vjetra me udhëheqësit e tyre prandaj e kemi këtë rreth viskoz. Siç e kemi parë edhe në rastin e Kosovës Gjykata Speciale nuk arriti të vendoset në Kosovë dhe u themelua vetëm me insistimin e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe me mbikëqyrjen e saj dhe natyrisht ne po shohim përherë të parë se si funksionon një gjykatë profesionale dhe e pavarur, pavarësisht se kush do të dal humbës apo fitues. Gjykata Speciale sjell një vetëdije tjetër në memorien kolektive të popullit shqiptar duke treguar se si funksionojnë gjykatat, si mblidhen provat, si duhet të ruhen dëshmitarët, si trajtohen të akuzuarit dhe si veprojnë gjykatësit dhe se si funksionon e gjithë kjo ngrehinë në shtetin ligjor”, potencon Jakupi.
Jakupi gjithashtu ka folur mbi rolin e Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë, e cila, sipas tij, po ndihmon në ndërtimin e një kulture ligjore dhe profesionalizmi. Ai e sheh si të nevojshëm themelimin e institucioneve që luftojnë korrupsionin, duke sugjeruar që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) mund ta realizojë këtë iniciativë, përkundër kundërshtimeve të opozitës.
“Edhe në Raportin e Komisionit Evropian aty ku Kosova nuk ka qenë pjesë e trajtimit dhe analizës sepse Kosova akoma nuk ka hapur kapitullin e bisedimeve për anëtarësim, theksohet dhe inkurajohet themelimi i institucioneve që e luftojnë korrupsionin prandaj kjo është e mirë se ardhur dhe besoj se LVV me koalicionin e saj mund të themelojë dhe të vërë në jetë këtë institucion për faktin se nuk është përlyer në korrupsion, por edhe sikur të ketë aty këtu, nëse gjykata shpallin fajtor, atëherë kjo bëhet traditë dhe të gjithë duhet ta respektojnë. Byroja e Konfiskimit të Pasurisë është gjithashtu e ndjeshme, sepse sikur në rastin e Gjykatës Speciale bëhet fjalë për pasurinë, buxhetin e vjedhur të shtetit nga individë, zyrtarë dhe kjo pasuri e vjedhur duhet tu kthehet qytetarëve të saj. Opozita po e kundërshton projektligjin sepse kanë qenë më gjatë në pushtet dhe po e interpreton se me këtë LVV do të hakmerret, por kjo nuk qëndron sepse kjo byro duhet të jetë e pavarur”, thekson Jakupi.
Në kontekstin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, Jakupi thekson se është e rëndësishme që ky institucion të jetë i pavarur dhe të mbështetet nga SHBA-të dhe vendet e Kuintit për të evituar akuzat për hakmarrje politike. Ai paralajmëron se do të ketë sfida në implementimin e këtij projektligji për shkak të rezistencës nga ata që kanë përfituar nga korrupsioni.
“Sipas mendimit tim duhet të ketë mbështetjen e SHBA-ve dhe Shteteve të Kuintit që të mos pengohet duke thënë se po bëhet nga LVV për hakmarrje dhe për tua marrë pasurinë opozitës- ish- zyrtarëve të opozitës së sotme. Edhe themelimi i Byrosë është problem do ketë kundërshtime dhe pa inkuadrimin e SHBA-së gati e pamundshme dhe do të duhet të kishte s' paku një fazë mbështetje, për disa vite deri sa të vetëdijesohemi se byroja e tillë duhet të funksionojë e pavarura nga partitë politike. Për këtë duhet që shteti, qeveria, të ofrojë buxhet, të përgatis edhe stafin, por problemi është se akush nga ata që kanë vjedhur paranë publike nuk është dakord t’i konfiskohet pasuria e krijuar për 24 vitet e kaluara. Sepse atyre që u konfiskohet pasuria e pajustifikueshme ata humbin edhe imazhin dhe kredon politike dhe përfundojnë në burg, prandaj është vështirë që ky projektligj të kalojë në kuvend”, shton analisti.
Në përfundim, Jakupi sugjeron që duhet të vendosen masa sigurie për pasurinë e individëve që dyshohen për burime të paligjshme, duke garantuar se hulumtimet të ndodhin vetëm pas heqjes së imunitetit të atyre në pozita publike, për të ruajtur drejtësinë dhe integritetin e procesit ligjor.
“Pra, jam edhe për atë që nëse byroja ka dyshime se pasuria e x apo y personit ka prejardhje të paligjshme të bëhet vendosja e masave të sigurimit të pasurisë edhe pa prova adekuate të të provuarit ...dhe nuk besoj se kjo “paraqet një ndërhyrje të pajustifikueshme në të drejtën e gëzimit paqësor të pronësisë së palës në procedurë”, sikur argumenton IKD. Pra, vetëm kur bë het vendosja e masave të sigurimit të pasurisë, tek atë herë mund të kryhen hulumtimet. Ashtu është edhe tek deputet (përvoja nga Gjermania). Së pari bëhet një akuzë, deputetit i hiqet imuniteti dhe vazhdojnë hulumtimet dhe pastaj tek në fund pason gjykimi bazuar në prova. Pra, nuk mund të hulumtohet për pasurinë e e klasifikuar përkohësisht si e pajustifikueshme pa e siguruar provën materiale se ndryshe nuk mund ta bësh hulumtimin...”, përfundoi ai.