“Njohje reciproke me Serbinë”/ Thaçi nga Haga: E ardhmja e Kosovës është në NATO, BE dhe me raporte të përjetshme speciale me ShBA-në

1 year ago 17

Pas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë ekskluzive për “Nacionalen” ka folur për veten, familjen, takimin me Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për nevojën e mbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë – në njohje të ndërsjellë.

I ndalur tek situata në Kosovë, Thaçi apeloi për tejkalim të së shkuarës me qëllim që “të mos rrezikohet apo humbet e ardhmja”.

Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale”, tha Thaçi.

Në retrospektivë, ish-presidenti kosovar deklaron se Kosova është një histori “e përbashkët suksesi” me aleatët e saj jetik perëndimor.

“Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare”- tha Thaçi, duke kthyer edhe njëherë kokën nga skeptikët dhe kundërshtarët e bërjes së Kosovës shtet dhe të pavarur, dhe kërkuar kësaj të fundit të qëndroj në të njëjtën linjë me aleatët.

Përkundrazi “Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur”­- tha Thaçi, duke shtuar se: “Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson.”

Ish-Presidenti thotë se Kosova në sytë e tij është një Kosovë që është në NATO, në BE, “dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në”.

Të them të drejtën, më shumë mendoj për të ardhmen se sa për kapitujt e mbyllur suksesshëm të Kosovës. Ne nuk e filluam luftën, dhe as s’e deshëm atë, populli i Kosovës i rezistoi agresorit. Nuk bëmë as më pak as më shumë se sa atë që duhej bërë, siç kanë bërë dhe bëjnë sot edhe shumë kombe bartëse të civilizimit botëror. Ne fituam.

Tash duhet ta forcojmë paqen. Ajo sjell zhvillim, rend e ligj, harmoni mes njerëzve, jetë më të mirë e mirëqenie për qytetarët. Vetëm me histori nuk mund ta fitojmë të ardhmen, historia duhet respektuar, institucionalizuar. Ajo është mishërim i qytetarëve, por nuk garanton sukses për të sotmen dhe të ardhmen.

Nëse dështojmë sot, e lëndojmë dhe e përbaltim historinë e fitores së djeshme. Por, duhet pasur parasysh se historia jonë e suksesit nuk është vetëm pronë kosovare, është edhe meritë e jashtëzakonshme e botës perëndimore.

Kosova është storie e suksesit të përbashkët. Pa përkrahjen e sponzoruesve të lirisë dhe pavarësisë si shoqëri mund të mbijetojmë ngatërrueshëm disi, por si shtet funksional nuk mund të ekzistojmë.

Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare. Duhet kujtuar se jo të gjithë faktorët relevantë botërorë ishin entuziastë për bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur.

E kundërta, Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur. Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson. Por, unë besoj në Kosovën në NATO, në BE dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në.

Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së.

Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni.

Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova”- tha Thaçi.

Top Channel

Read Entire Article