Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh të martën, 14.11.2023, në Berlin kundër bilateralizimit të procesit të zgjerimit të BE. Scholz e tha këtë në përgjigje të një pyetjeje për mosmarrëveshjet e fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë, gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin grek Kyriakos Micotaqis.
Kancelari socialdemokrat theksoi se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit, Berlini është “në anën e procesit të anëtarësimit në BE, sepse dëshiron që kandidatët për anëtarësim ta arrijnë atë sa më shpejt”. Scholz tha se është e nevojshme të shkohet drejt afrimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilave iu dha premtimi për anëtarësim pikërisht 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut 2003.
Komisioni Evropian ka rekomanduar fillimin e bisedimeve për tre grup-kapitujt e deri në fund të vitit 2023. Këta kapituj janë nga më të rëndësishmit pasi kanë të bëjnë me demokracinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe prokurorimet publike. Që bisedimet të hapen duhet mbështetja unanime e 27 vendeve në Këshillin Europian të shteteve anëtare të BE. Më 11 nëntor Greqia vendosi të mos i bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e komisionit Evropian drejtuar Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë. Shkak për këtë është mbajtja ende në burg e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. 52-vjeçari u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 dhe akuzohet për shit-blerje votash. Autoritetet greke e konsideruan arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit një “cenim të shtetit të së drejtës, shkelje të të drejtave civile, mosrespektim të të drejtave politike.”
Dy liderët evropianë ishin takuar edhe një ditë më parë në një grup të vogël pune, me liderë të ndryshëm të disa vendeve të BE-së, si Hungaria, Qipro, Sllovakia, në një darkë që kishte dhënë të hënën në mbrëmje presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel në Berlin. Darka kishte si synim dakordimin mes vendeve për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me të ardhmen e BE-së.
Scholz kërkon pauza humanitare në Gaza
Micotakis dhe Scholz përsëritën këtë të martë qëndrimin e tyre se, me sulmet hakmarrëse në Gaza, Izraeli po ushtron të drejtën e tij për vetëmbrojtje dhe siguruan se Tel Avivi është “i përkushtuar ndaj ligjit ndërkombëtar dhe vepron në përputhje më të”. Të dy liderët ishin kundër ndërprerjes së luftimeve, por u shprehën për pauza humanitare. “Nuk mund të pranohet që të krijohet një situatë në të cilën Hamasi të ketë mundësi të rimëkëmbet, të grumbullojë armë dhe të sulmojë përsëri Izraelin,” tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
Të dy liderët do të takohen këtë javë veçmazi me presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili së fundmi i cilësoi bombardimet në Gaza si “fashiste”. Kancelari gjerman Olaf Scholz i shmangu kritikat e drejtpërdrejta ndaj Erdoganit, i cili pritet të jetë për vizitë në Berlin të premten, më 17 nëntor 2023. Por ai theksoi se Izraeli është pa dyshim një vend demokratik dhe se vepron në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. “Akuzat kundër Izraelit janë absurde,” tha socialdemokrati Scholz.
Scholz u shpreh për pauza humanitare në Gazë, për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare, largimin e të huajve të bllokuar në Rripin e Gazës dhe trajtimin mjekësor të plagosurve. Konservatori Mitsotakis, nga ana e tij, vuri në dukje se e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje duhet të përshtatet “në çdo rast” brenda ligjeve të luftës dhe ligjit ndërkombëtar dhe humanitar. Të dy liderët përsëritën idenë se zgjidhja e vetme është ajo e dy shteteve, Izraelit dhe Palestinës./ DW
Top Channel