Opinion – Vetë(vrasja) e 41-vjeçares!

9 months ago 31

Autori: Blendi Fevziu

00:00 09/01/2024

Në studio: Klodiana Lala, Fatma Haxhialiu, Denisa Kele, Akil Pano, Merin Maçi, Mirgit Vataj

Vdekja e Bedrie Lokës/ Maçi: Ndoshta mund të ishte parandaluar nëse vëllezërit e viktimës do të referonin ngjarjen në polici

Gazetari i Tv Klan, Merin Maçi thotë vdekja e Bedrie Lokës ndoshta mund të ishte parandaluar nëse vëllezërit e saj mund ta kishin referuar dhunën e ushtruar ndaj të motrës nga bashkëshorti i saj.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Maçi tregon se në sajë të komunikimeve që ka pasur me njërin nga vëllezërit e së ndjerës, ky i fundit ka pranuar se pasur dijeni për të gjithë situatën e vështirë që po kalonte e motra, Bedrie Lokja.

Merin Maçi: Kjo ngjarje ndoshta mund të ishte parandaluar nëse vëllezërit e viktimës do të referoheshin ngjarjen në polici. Nga komunikimet që kam pasur me njërin prej tyre, ai rrëfente se gjatë gjithë viteve të martesës ka pasur përplasje të tilla, por për shkak të fëmijëve, martesa e tyre ka vijuar dhe ky konflikt është mbajtur mureve të banesës.

Ndëkrohë, Denisa Kele jep dhe një mesazh për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe kornizave morale të vendosura në drejtim të femrave.

Denisa KeleE gjitha fillon tek bërthama që është familja. Po shikoja nënën e bashkëshortit të viktimës që doli në deklaratë dhe thoshte që “djali im ia fali asaj që i hapën një adresë në TikTok”. Kjo është çmenduri! Kjo është çmenduri, përsa kohë që damkosja morale në Shqipëri, zgjidhje ka vetëm vdekjen dhe përsa kohë familja kthehet nga një vend në… Nuk e di kush i ka krijuar këtë korniza morale dhe që korniza morale e një gruaje personifikohet vetëm nga seksualiteti i saj dhe kjo është një tmerr më vehte. Përsa kohë që familja duhet të jetë ambienti ku duhet të ketë empati, është kthyer në… mua më duket si fole ujqërish – kjo shoqëri nuk bëhet më.


“Sëmundja e nënës së viktimës agravoi situatën”, gazetari: Bashkëshorti dyshonte se e përdorte ikjen në banesën e nënës për lidhje me të tjerë

Emisioni ‘Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme ka trajtuar rastin e vetëvrasjes së 41-vjeçares Bedrie Loka ku mes të ftuarve ishte edhe gazetari Merin Maçi i cili u shpreh se situata mes çiftit është agravuar pas rastit të sëmundjes së nënës së viktimës.

Gazetari shprehet se fakti që Bedria duhet të ishte prezente më shumë në banesën e nënës së saj për shkak të sëmundjes ka ngritur dyshimet tek bashkëshorti i saj së ajo e përdorte këtë ikje nga banesa për të pasur lidhje me persona të tjerë.

Ndër të tjera gazetari shprehet se e shkuara kriminale e bashkëshortit të viktimës ka çuar policinë në dyshime duke hetuar më shumë lidhur me 45-vjeçarin Xhemal Loka. Gazetari përmendi edhe një tentativë për arratisje të bashkëshortit të viktimës nga burgu i Peshkopisë ku po vuante dënimin për vjedhje.

Merin Maçi: Ajo se çfarë e ka agravuar situatën ka qenë një situatë që i ka ndodhur nënës së viktimës. Në shkurt të vitit 2023 ka pësuar një sëmundje të rëndë dhe i është dashur që shpesh të ishte prezent në shtëpinë e saj dhe vëllait të saj. Kjo ka agravuar disi situatën mes çiftit duke ngritur dyshimet se ajo e përdorte këtë ikje nga banesa për të shkuar dhe për të pasur lidhje të tjera me persona të tjerë.

Ajo çfarë nuk ka bindur policinë ka qenë fakti që Xhemal Loka ka dorëzuar celularin e viktimës dhe celularin e fëmijës që ka incizuar videon për të cilën janë tre video dhe në mënyrë të vazhdueshme krahas tre videove ka pasur edhe video call që ai kryente me motrën e tij për t’i treguar dhunën që ushtrohej dhe në momentet që policia në telefonët e sekuestruar ka gjetur këto video, por nuk ka gjetur materialet për të cilat ka pretenduar 45-vjeçari ka përdorur metoda speciale për përgjimin e personave që ndodheshin në banesë, por duke parë edhe gjendjen psikologjike të rënduar të fëmijëve është bërë rimarja në pyetje dy ditë pasi 41-vjeçarja ka ndëruar jetë ku njëri nga fëmijët konkretisht djali i saj është thyer duke treguar dinamikën e ngjarjes dhe se babai i tij me 21 Dhjetor…

Blendi Fevziu: Maçi dyshimi i policisë është vetëm presioni që e ka çuar në vetëvrasje?

Merin Maçi: Presioni, të paktën deri në këto momente hetuesit për këtë dyshojnë. Deklarimet e marra në kohë relativisht të ndryshme kanë ngritur dyshimet që ka pasur një dhunë psikologjike në mënyrë konstante e shoqëruar me dhunë fizike, por dhe një ndihmesë kanë dhënë edhe deklarimet e vëllezërve të së ndjerës të cilët kanë rrëfyer se vajza e madhe kishte informacion për gjithë këtë situatë dhe në fakt ajo ka rezultuar mjaft me vlerë për hetuesit që kanë çuar në zbardhjen e ngjarjes.

Blendi Fevizu: Po zbardhja nuk është akoma përfundimtare për sa kohë bashkëshorti nuk e ka pranuar dhe duhet parë se çfarë vendimi do të marrë gjykata.

Merin Maçi: Po sigurisht bashkëshorti nuk do të pranojë akuzën. Ka edhe një histori bashkëshorti ku në vitin 2000 ka përfunduar në burg për vjedhje është dënuar me 20 muaj burg dhe ka pasur një tentativë për arratisje nga burgu i Peshkopisë në atë kohë dhe të paktën nga ana e policisë ka pasur ato dyshimet duke qenë se kishim të bënim me një njeri që kishte një të shkuar kriminale dhe mund të kishte tendenca për të krijuar alibi dhe ngjarje të tilla.


“Burri i hapi faqe “Only Fans” bashkëshortes që të merrte para nga fotot intime të gruas së tij”

Denisa Kele ka bërë publik një rast tronditës në emisionin “Opinion” në Tv Klan, të cilin thotë se e ka mësuar nga organet policore.

Referuar rastit në fjalë, Kele tregon se një bashkëshort i ka hapur gruas një faqe “Only Fans” që të merrte para nga fotot intime të bashkëshortes së tij, gjë të cilën e justifikonte duke thënë se “dua të ushqej fëmijën”.

Denisa Kele: Do të ju them një rast që nuk është bërë mediatik të para disa ditëve që unë e kam marrë vesh nga policia. Kjo është mënyra se si prindërit rrisin meshkujt dhe prindërit rrisin dhe femrat. Bashkëshorti i divorcuar nga gruaja e tij i kishte hapur bashkëshortes një faqe “Only Fans” që merrte para nga fotot intime të gruas së tij dhe e justifikonte me shprehjen se “e bëj se dua të ushqej fëmijën”. Kur e kam dëgjuar nga organet kompetente, kam ngelur pa mend.

Blendi Fevziu: E njëjta logjikë nga grupe që i merrnin dhe trafikonin gra.


Rasti i Bedrie Lokës/ “Kemi braktisur njeriun”, pastori Akil Pano tregon kurën për shoqërinë

Pastori Akil Pano e shikon problemin tek shoqëria, duke ju referuar rastit të vetëvrasjes së 41-vjeçares Bedrie Loka.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, pastori lartësoi figurën e të ndjerës Bedrie Loka, e cila përballonte e vetme jetën për të rritur 4 fëmijët e saj.

“Ne evidentojmë pafuqinë tonë si shoqëri për të sfiduar dhunën, të keqen. Shikojmë jetën e kësaj zonje e cila del heroinë, që mund të bënte punën e disa individëve, rrit fëmijëne  saj, punon, i del përballë jetës, përballet me dhunë në shtëpi, përballet me dhunën e presionin e vetë jetës, presion ekonomik, presion për t’u kujdesur për fëmijët.

I shoqi i saj rezulton që ka qenë disa herë në punë, ajo ka qenë nënë e vetme. Një presion i vazhdueshëm në punë. Historia e TikTokut. Një zonjë krejt e vetme përballë botës. Kjo është ajo që na bën të ndihemi të dobët. Tjetri është fakti që ka qenë e paasistuar, edhe njerëzit e afërt të saj, e paasistuar nga cilido. E gjitha është vuajtje që çon në fund në lindjen e tragjedisë. Ajo që ndodh është presioni shtypës i jetës, i banalitetit të së keqes e cila në fund thyhet.

Dëgjojmë që ajo ka denoncuar adresën false në TikTok. Nuk është hera e parë që trajtojmë mosasistimin e institucioneve përkatëse të një individi që ka raportuar një problem me jetën e tyre.

Kura është aq e thjeshtë dhe aq komplekse. Zgjidhja është ndërtimi i njeriut, ne braktisëm njeriun dhe zëvendësuam qëllimin me mjetet. Fatkeqësisht sot vlerësojmë pasurimin, kemi braktisur njeriun.

Që kur kemi qenë të mitur gjatë kësaj periudhe tranzitore nuk kemi dëgjuar që njeriu është qëllimi i fundëm, te njeriu qëndron vlera”, u shpreh pastori Akil Pano.


“Policia dyshon se bashkëshorti i ka hapur faqen false në TikTok Bedries”, Lala: Xhemali kishte alibinë e gatshme

“Policia ka dyshime se ka qenë bashkëshorti i arrestuar i Bedrie Lokës që ka hapur faqen false në TikTok ku bullizohej e ndjera”, ka qenë kjo deklarata e gazetares Klodiana Lala në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Gazetarja Lala tregon 2 momentet e para, ku policia ka drejtuar dyshimet tek bashkëshorti i Bedrie Lokës: Fshehja e telefonit dhe alibia e gatshme për vdekjen e gruas së tij.

Klodiana Lala: Ajo që ka lënë dyshimet e para nga policia, kanë qenë 2 momente, së pari, bashkëshorti kishte fshehur telefonin e tij dhe nuk e dorëzonte në polici, e ka përdorur dhe djali i mitur. Me atë telefon, djali e thotë se herë pas here, i bënte video mamit dhe babit dhe ja dërgonte motrës dhe i thoshte se si mund të zgjidhej. Momenti i dytë, ai ka pasur një alibi të gatshme, çka do të thotë se vetë policia tashmë dyshon se është bashkëshorti i arrestuar që e ka hapur këtë faqe në TikTok sepse e ka pasur alibi. Akoma nuk është e provuar. Denoncimi i Bedrie Lokes është pa autor. Bashkëshorti thotë mes të tjerash në referimin e parë në polici “ka pasur anth dhe stres për shkak të TikTokut, unë ja kam falur këtë gjë”. Nuk është vetëm kjo video, por janë dhjetëra video të tjera ku dëshmohet dhuna sistematike.

Gjatë fjalës së saj, gazetarja Lala shprehet se Bedrie Loke kishte kërkuar ndihmë kudo, gjë të cilën nuk e kishte gjetur fatkeqësisht në asnjë institucion.

Klodiana Lala: Problemi është se kam parë në mënyrë fyese dhe denigruese që edhe familja e Xhemal Lokës, tentonte të fyente kujtimin e viktimës së ndjerë. Pashë vjehrrën e të ndjerës që thoshte se “ajo ka vjedhur lekët e djalit tim e të tjera më radhë” dhe është e pajustifikueshme dhe nga vetë ne mediat që japim mundësinë për këtë gjë. Denigrohej në mënyrë të tmerrshme, fotoja e saj ishte në çdo rrjet social të mundshëm. Kishte klithur për ndihmë në çdo institucion të pazonjat për ta ndihmuar. Në momentin që ajo zonjë kërkonte ndihmë, askush nuk u gjet aty, të gjithë qanin hallin se si do të ndahej ajo shtëpia 2-katëshe.


Profili fals në TikTok i Bedrie Lokës, Blendi Fevziu: Një fenomen bastard dhe perversiteti

Vetëvrasja e 41-vjeçares Bedrie Loka në Durrës ka shkaktuar reagim të madh në publik për faktin se në fillim u dyshua që ngjarja të kishte ndodhur si pasojë e një profili denigrues që i kishin hapur të ndjerës në TikTok.


Së fundmi policia i ka fokusuar hetimet në pistën e dhunës që ka ushtruar bashkëshorti i saj, Xhemal Loka.

Por nuk është e pavërtetë as rasti i profilit fals në TikTok që të ndjerës ja kishin hapur persona të tjerë dhe përdornin gjuhë denigruese ndaj saj. Për këtë, 41-vjeçarja kishte bërë edhe një kallëzim në polici 1 vit më parë.

Drejtuesi i emisionit Opinion në Tv Klan, Blendi Fevziu, e ka dënuar këtë keqpërdorim që po bëhet në rrjetet sociale me profilet e personave të tjerë. Ai thotë se ky është fenomen perversiteti dhe që dëmton shoqërinë.

“Nuk është e pavërtetë dhe historia e një profili fals në TikTok që e kishte shqetësuar gruan. Një vit e pak më parë ajo ishte drejtuar në Policinë e Durrësit për të gjetur një zgjidhje për këtë. Ky është një prej fenomeneve të tjera të shoqërisë shqiptare, fenomen modern, më bastard se ato të 100 viteve më parë, është një prej fenomeneve që nuk i shkon asnjë shoqërie në botë dhe nuk e di pse shqiptarët janë kaq të dashuruar me këtë lloj perversiteti, me këtë lloj ndyrësie apo me këtë lloji bullizimi. Profile të tilla që mund të qarkullojnë normal, që një personi publik nuk i bëjnë përshtypje, por një gruaje 41-vjeçare që jeton në një fshat të Sukthit që mund t’ja shohin fëmijët, bashkëshorti, kushërinjtë, familja, fisi e shumë të tjerë, padyshim që i shkakton një dramë të madhe. Për këtë arsye rrjetet sociale sa janë një mjet komunikimi, po aq janë një armë vrastare që mund të shkatërrojë këdo”, u shpreh Blendi Fevziu.

/tvklan.al


Read Entire Article