Opozitarët po zbatojnë skenarin për bllokimin e punimeve të Kuvendit në çdo komision parlamentar.
Këtë të mërkurë plani ishte paralizimi i aktivitetit të Konferencës së Kryetarëve, por këtë herë mazhoranca i mbylli dyert ndërkohë garda u urdhërua që tu ndalonte planin demokratëve.
Edhe pse ishte parashikuar që në orën 10 ministri i financave Ervin Mete të prezantonte buxhetin e vitit 2024, ai nuk u lejua të futej në sallë nga deputetët e PD-së.
Në pamundësi për të zhvilluar një mbledhje normale kryetarja e parlamentit e shtyu mbledhjen dhe vazhdoi me socialistët e qetë punën. Por teksa kolegët e tyre përplaseshin me gardën jashtë sallës, brenda flamurin e betejës e mbajtën Zheni dhe Agroni.
PS po kallëzon penalisht demokratët për aktet e dhunës në parlament. I pari që shkoi në dyert e drejtësisë ishte Bledion Nallbati, mbrojtja e të cilit i ishte lënë në dorë Sali Berishës.
“Ja dërgoi një organizate tjetër kriminale siç është SPAK, që funksionon i tëri nën këmbët e Edi Ramës me fabrikime, falsifikime kriminale. Me lidhje me bandat dhe krimin. Në këtë aspekt, nuk ka asnjë lloj habie se përse këta i drejtohen tani SKAP-it të partisë”, tha Berisha.
Për Gazment Bardhin padia e socialistëve është reagim pas padisë së parë të bërë prej tyre.
Demokratët aksionin parlamentar e vazhduan edhe me bllokimin e komisionit të ekonomisë, duke detyruar socialistët që të zhvendosin mbledhjen online, veprim i cili konsiderohet nga opozita si shkelja e radhës ndaj tyre. Mirëpo socialistët e kanë marr me sportivitet situatën duke ju dhënë edhe një këshillë para se të rimblidheshin.
Top Channel