Gjykata e Shkallës së Parë ka dorëzuar në Gjykatën e Apelit ankimimet e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, të cilët kërkojnë shuarje të masës së sigurisë.
Seanca në Apel është caktuar më 20 nëntor, ora 9:00, që përkon edhe me datën kur Berisha duhet të paraqitet në gjykatë sipas vendimit. Një orë pas shqyrtimit të ankimimit, në orën 10:00 Berisha duhet të paraqitet në gjykatë pasi konsiston ditë e hënë.
Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtarja Iliriana Olldashi.
Një ditë më parë, avokatët mbrojtës të ish- kryeministrit Sali Berisha dorëzuan në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme ankimimin e plotë ku kundërshtohen vendimet për masën e sigurimit personal “detyrim me paraqitje” dy herë në muaj për Sali Berishën.
Ish-kryeministri Sali Berisha, që po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.
Javën e kaluar, përmes avokatëve mbrojtës, ai kërkoi shuarjen e masës “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit”, por GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë.
Të njëjtën kërkesë për shuarje ose zbutje mase kanë dërguar edhe avokatët e Jamarbër Malltezi, i cili është i dyshuar për korrupsion pasiv.
Top Channel