Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani propozon që të hartohet një draft i ri për asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, Osmani tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë vitit, nuk “është perfekte” për Kosovën, por është obligim ndërkombëtar.
“Unë mendoj që kështu është zgjidhja. Të ulemi me partnerët tanë në SHBA. Ta prezantojmë para Sekretarit të Shtetit draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me letrën e Mogherinit që garanton që asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe në përputhje me qëndrimin e shkruar amerikan në editorialin nga z. Chollet dhe z. Escobar, të cilët ndër të tjera sqarojnë se një trup e tillë do të jetë vetëm trupë koordinuese, pra pa kompetenca ekzekutive”.
Më herët Osmani pati dhe takime me liderët e partive opozitare për të diskutuar mbi situatën më të fundit në veri të Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.
“Jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës – në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit; dhe jo vetëm. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia, si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve”, u shpreh kryetari i LDK.
Ish-kreu i Qeverisë dhe kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj tha pas takimit me Osmanin se rreziku për eskalim të situatës në veri sërish ekziston.
“Kjo që ndodhi tani është e pastër terrorizëm. Është e logjikshme që të bashkëbisedohet në situata të tilla. Për shkak se rreziku vazhdon duhet që të bëjmë kujdes që edhe vendimmarrësit politik ta kryejnë me sukses punë e vetë”.
Ndërsa pasdite në Presidencë mbërriti edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili u njoh gjithashtu rreth situatës së krijuar në veri.
Tv Klan
Të ngjashme