Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandër Vuçiç, për sulmin e së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë e sulmit terrorist mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Osmani në një intervistë për “Reuters” tha se qëllimi i Vuçiçit është që ta krijojë “Krimenë në Republikën e Kosovës”.
“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiç është ndaloni ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim”, tha Osmani.
“Ata po përpiqen të krijojnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, shtoi ajo.
Osmani theksoi se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.
“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.
Vjosa Osmani shtoi se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të vazhdojnë si më parë.
“Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”, tha e para e vendit.
Qeveria e Kosovës ka publikuar fakte që tregojnë se grupi ka qenë i trajnuar, i armatosur dhe ka marrë mbështetje të tjera nga qeveria e Beogradit dhe agjencitë e sigurisë. Kosova dhe Serbia kanë më shumë se një dekadë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, në një proces ndërmjetësimi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
Në fillim të këtij viti, ata ranë dakord për një marrëveshje të propozuar nga Bashkimi Evropian, por që atëherë ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se si ta zbatojnë atë.
Policia e Kosovës gjatë operacionit Anti-terror, ka arritur të vrasë tre terroristë serbë, ndërsa ka arrestuar edhe tetë të tjerë si të dyshuar për përfshirjen në sulmin terrorist, gjashtë prej të cilëve janë liruar në mungesë të provave. Përpos kësaj, organet e rendit ka sekuestruar edhe armatim, që sipas llogaritjeve arrin vlerën e 5 milionë eurove/klankosova