Partia e Lirisë: Tullumbacet me oksid azoti të klasifikohen si të dëmshme për shëndetin

1 year ago 9

Balkanweb app Get it on Google Play

Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho deklaroi sot se, prej disa javësh, në media është ngritur shqetësimi i disa llojeve të reja drogërash, pre e të cilave po bien përditë fëmijët tanë”. Në një dalje për mediat, Xhixho tha se, “në mënyrë të veçantë, shqetësim për shëndetin e të rinjve dhe fëmijëve janë bërë tullumbacet me oksid azoti. Përdorimi i këtij gazi vërehet në masë mes nxënësve të shkollave të mesme (pa përjashtuar këtu edhe shkollat 9-vjeçare) dhe studentëve, të cilët shpesh bien pre e abuzimit me sasinë e tij. Në datën 7 tetor 2023, u raportua edhe rasti i parë i një të riu 15-vjeçar, i cili shkoi në spital në gjendje të rëndë, si pasojë e konsumimit të tullumbaceve me monoksid diazoti”.

“Partia e Lirisë ka kërkuar me forcë në komisione plotësimin e vakumit ligjor, duke e klasifikuar këtë gaz si lëndë të dëmshme për shëndetin e të rinjve dhe duke e ndaluar përdorimin e tij përveçse për qëllime mjekësore”, theksoi ajo. Aktualisht, tha ajo, “ky gaz tregtohet lirisht në lokalet e Tiranës, madje shoqërohet edhe me faturë. Kjo drogë që rrezikon shëndetin e jetën e fëmijëve dhe të rinjve taksohet njësoj si produktet e tjera. Tregtarët e këtij rreziku veprojnë të lirë sepse nuk ka bazë ligjore mbi të cilën të ndërmerren masa. Aksionet në baret dhe mjediset e tjera rreth shkollave bëhen nul në mungesë të bazës ligjore”.

Në këto kushte, tha Xhixho, “i jemi drejtuar Parlamentit me një kërkesë për ndryshimin e ligjit Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope. Kemi kërkuar ndryshimin e ligjit dhe krijimin e bazës ligjore për ndalimin e prodhimit, shpërndarjes dhe tregtimit të oskidit të azotit, duke e klasifikuar atë si lëndë me rrezikshmëri të lartë që përdoret vetëm në mjekësi”.

“Ndërsa emigrimi e tkurr përditë e më shumë numrin e të rinjve në Shqipëri, ne nuk do të lejojmë që shëndeti dhe jeta e atyre që po rriten të vihet në rrezik”, theksoi Xhixho. Ajo citoi raportin e fundit të FDI Intellegence, sipas të cilit, Shqipëria është i vetmi vend jashtë Afrikës për nivelin më të lartë të emigrimit të trurit, duke u renditur e 8-ta në rang global në vitin 2022. “Nisur nga domosdoshmëria e një ligji të tillë për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë, kërkojmë futjen me urgjencë të këtij amendamenti në rendin e ditës. Askush nuk mund të nxjerrë fitime duke helmuar rininë e këtij vendi. Ndaj dhe është emergjente diskutimi në seancë dhe miratimi sa më parë i këtij projektligji, pa u zvarritur në burokracitë parlamentare. Duhet të veprojmë sot, pasi shëndeti i fëmijëve shqiptarë duhet të jetë prioritet”, përfundoi Xhixho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article