Pas bllokimit të pasurive të Guvernatorit të Sardenjës, rikthehet debati për titullin ‘Honoris Causa’”. Rektori i Mjekësisë, Arben Gjata: S’jam në hetim!

9 months ago 6

Pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë rreth 350 mijë euro u sekuestruan paraditen e djeshme nga agjentët e Policisë Financiare në Itali, ku 6 persona po hetohen për korrupsion. Por ky rast korrupsioni, ka rikthyer në vëmendje të mediave italiane dhe rastin e një viti më parë, ku u përfshi Universiteti i Mjekësisë në Tiranë. Tgcom raporton se Prokuroria e Kaljarit, ka vënë nën hetim rektorin e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Arben Gjata, pasi thuhet se ky institucion i ka dhënë titullin ‘Honoris Causa’, Guvernatorit të Sardenjës, Christian Solinas.

Sipas hetimeve italiane, ky titull është dhënë në këmbim të ndërhyrjes që Solinas do të kishte te ministri i Jashtëm italian për dhënie fondesh komunitare e financime projektesh studimore për Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Emërimi është bërë nga italiani Roberto Raimondi, i cili ka qenë drejtor i Shkollës së Doktoraturës në Fakultetin e Mjekësisë, në Universitetin Publik të Tiranës e njëherësh drejtor i Zyrës së Autoritetit të Menaxhimit të Programit Europian, ENI CBC të Pellgut të Mesdheut për rajonin e Sardenjës. Nën hetim përveç rektorit Arben Gjata, janë edhe konsulenti i Solinas, Christian Stevelli dhe drejtori i përgjithshëm i E-Campus Algonso Lovito.

Dyshimet që prokuroria italiane hedh është se titulli dhe roli akademik i marrë në Shqipëri në një Universitet Publik është bërë në shkëmbim të emërimit të Roberto Raimondit, në postin e Drejtorit të Programit ENI në Mesdhe.

Po ashtu mediat italiane raportojnë se Guvernatori i Sardenjës së bashku me tre bashkëpunëtorë të tij është vënë nën hetim për disa prona e toka të dhëna në shkëmbim të favoreve me sipërmarrës e persona me funksione publike.
Teksa çështja e skandalit në fjalë për titullin u bë publik një vit më parë në mediat italiane, rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata e mohoi asokohe përfshirjen në këtë ngjarje. Të njëjtin qëndrim ka pasur edhe sot. Në një prononcim për BalkanWeb, gjatë një komunikimi me gazetaren Aurora Golemi, Gjata pohoi se nuk ishte në hetim nga autoritetet italiane. Ai tha se asnjëherë nuk ishte marrë në pyetje për këtë çështje, ndërsa kategorish u shpreh se universiteti i Mjekësisë nuk i kishte dhënë Guvernatorit asnjë titull.

“Universiteti që drejtoj nuk ka propozuar kurrë dhënien e titullit ‘Honoris Causa’ për Christian Solinas. Në ministrinë e Arsimit nuk kemi dërguar asnjëherë emrin e tij për t’i akorduar këtë titull. Guvernatori i Sardenjës nuk i ka dhënë asnjë kontribut universitetin tonë. Janë sajesa të medias italiane, s’e di nga i kanë marrë. Unë nuk jam pyetur asnjëherë nga autoritetet italiane për këtë çështje. Sa i përket Roberto Raimondit, ai ka qenë pedagog i jashtëm në universitetin tonë dhe koordinator i dhënies së Doktoraturave me Universitetin e Bolonjës.”, tha Gjata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article