Për të shmangur letërsinë dhe gazetarinë e zëvendësueshme

2 days ago 20

Nga Mero Baze

E di që, për shkak të 34 viteve punë të përditshme, të gjithë më njohin si gazetar, por dëshirat e para për të botuar nuk i kam pasur si gazetar. Për herë të parë emrin në shtyp e kam pasur poshtë një poezie.

Nëse kam një mirënjohje personale për poezinë, është se ajo më futi në rrugën e gazetarisë dhe jo gazetaria në rrugën e poezisë, siç mund ta mendojnë shumë tani.

Aq e vërtetë është kjo, sa nëse do të më kërkonit të identifikoja një tipar të veçantë të poezisë pa pretenduar të jem studiues letrar, do të thosha se poezitë e mia janë përjetime, njësoj si shkrimet. Nuk kam pothuajse asnjë poezi – ose së paku nuk më kujtohet – që të mos lidhet me diçka që kam përjetuar. Më së shumti ato janë përjetime poetike sesa produkte të laboratorit artistik të një poeti.

Për këtë arsye ka një lidhje organike mes fillimit me poezitë dhe vazhdimit si gazetar.

E thashë këtë që të mos vazhdoni të më bëni këtë “gjyqin” pse shkruaj poezi.

Libri është një lloj antologjie kohore, i shtrirë në tre dekada, ku janë përzgjedhur poezi nga të gjitha periudhat kohore; kjo vërehet lehtësisht, edhe pa vënë datat në fund të poezive.

Duke qenë se jemi këtu, te një lloj dokumenti i historisë edhe përmes poezive, dua të them dy fjalë për gazetarët e rinj dhe për poetët e rinj.

Gazetaria ka ndryshuar shumë, dhe bashkë me të kemi ndryshuar edhe ne, por ajo që po ndryshon në mënyrë dramatike është distanca e atyre që sot quhen gazetarë nga letërsia dhe fjala e shkruar në përgjithësi dhe varësia e pashmangshme nga teknologjia.

Jo vetëm gazetarët që punojnë për mua, por edhe në gjithë shtypin, tani kanë një distancë të frikshme nga letërsia dhe fjala e shkruar. Kam frikë se edhe nga leximi në tërësi, përveç atyre që lexojnë Facebook-un, X-in, apo rrjete të tjera sociale dhe që pastaj i ekspozojnë si dije duke marrë citate prej tyre.

Kjo natyrisht që lë gjurmë në tekstet e tyre, në fjalorin e varfër dhe në mungesën e talentit për të tërhequr përmes fjalës.

Të njetin problem e kanë sot në letërsi dhe ata që duan të injorojnë brumin e gazetarisë për letersinë. Sado e mangët të jetë gazetaria, ajo është lënda e parë më e mirë për një shkrimtar. Ata që e injorojnë dënojnë veten.

Debati mbi ndikimin e letërsisë në gazetari është i vjetër dhe ashtu siç ka ithtarë të saj, si puna ime, ka edhe kundërshtarë të egër dhe të vendosur me plot argumente, që thonë se krijimtaria letrare dëmton të vërtetën dhe raportimin profesional.

Por ky është një spekulim teknokratësh.

Të vërtetën e dëmton karakteri dhe personaliteti i gazetarit dhe jo kultura letrare e tij. Mungesa e kulturës në gazetari dhe distanca e gazetarëve të rinj nga librat i bën ata të manipulueshëm, më të dobët, më pak të lexuar dhe, mbi të gjitha, i bën të paemër.

Nga ana tjetër mendoj se dhe shkëputja e letërsisë nga të vërteta e ditës e bën atë më të varfër, dhe e kthen në specie në zhdukje. Një nga romanet më të mira dhe të lexuara sot në tregun evropian është romani “Zgjerimi” i Robert Menasse, shkrimtar austriak që ka në qendër të vëmendjes Shqipërinë e këtyre ditëve, që ne e shikojmë para syve e nuk na bën përshtypje. Ka një shkrirje të kufijve mes letërsisë së mirë dhe gazetarisë së mirë dhe ky është trend i kohës.

Njësoj si gazetaria e cekët që rrezikon të kthehet në profesion të zëvendësueshëm nga inteligjenca artificiale, edhe letërsia e cekët e ka këtë rrezik.

Në redaksi nuk na duhet më redaktor, se kemi ChatGPT, nuk na duhen më statistika, se i gjejmë në internet, dhe nuk duhen ngjarje, se i shohim live në rrjete sociale.

Të vetmit që mund të bëjnë diferencën janë gazetarët që kanë gjuhën e tyre të të shkruarit, stilin e tyre dhe, natyrisht, kulturën e tyre. Mendoj se mbijetesa e gazetarisë mund të vijë pikërisht nga fakti se dikur gazetarët nuk shikoheshin thjesht si shkrues njoftimesh, por si njerëz tek të cilët publiku ka besim, mes të tjerash, se janë edhe të lexuar e të talentuar.

Nëse pas 30 vitesh shikon se cilët gazetarë i mbijetojnë tregut në mënyrë individuale pa ndihmën e të tjerëve, shikon se janë ata që vijnë nga letërsia. Publicisti më i mirë i tranzicionit Preç Zogaj ështe dhe livrues i gjithe gjinive të letersisë. Por duke shkuar tek brezi im mund të themi pa frikë se Rudina Xhunga që mbijeton në një treg gazetarie pa rregulla tregu vjen nga letërsia, Ylli Rakipi që e lë dhe e zëvendëson gazetarinë sa herë të dojë vjen në fillesat e veta si tregimtar i talentuar, Blendi Fevziu e ka nisur po ashtu me poezi, madje si bashkëautor me Blushin. Enkel Demi bën pak ndryshim se e ka nis si gazetar dhe e vazhdon si shkrimtar, po përsëri është nje fakt i ndërlidhjes që ka letersia me gazetarinë. Madje dhe Nikoll Lesi e ka pas nisur duke shkruar tregime. Ka një listë të gjatë dhe të pafundme me emra të tillë, të cilët janë ende në këmbë pikërisht për këtë lidhje, qoftë edhe të lënë përgjysmë.

Letërsia është si një lloj vaksine që e merr një herë dhe imunizohesh nga banaliteti.

Për aq sa unë e ndjej veten gazetar ende të aftë, ja di për nder kësaj vaksine.

Letërsia do të mund t’i shpëtojë këtij rreziku, vetëm duke qenë sa më afër të vërtetave të cilat janë të pakopjueshme, të papërsëritshme dhe të patjetërsueshme.

*Fjala e mbajtur në promovimin e librit “Shi me baltë”

Read Entire Article