Nga Eduard Zaloshnja
Gjatë fundjavës zhvillova një sondazh për JAVANEWS me 1117 banorë të rritur të Shqipërisë, të kontaktuar me SMS krejt të rastësishme në të gjithë territorin e vendit. Pyetja kryesore në sondazh ishte: “Kush mendoni se përfiton më shumë politikisht këtu nga fitorja e Trumpit?” Ndërkohë, të anketuarit u pyetën edhe për çfarë kryebashkiakësh votuan vjet: kandidatë të Ramës, të Berishës, të tjerë, apo asnjërin.
Plot 41.5% e të anketuarve mendonin se Rama do të përfitojë më shumë nga fitorja e Trumpit (41% votuan vjet për kandidatë kryebashkiakë të Ramës); 29.2% mendonin se Berisha do të përfitojë më shumë nga fitorja e Trumpit (25.6% votuan vjet për kandidatë kryebashkiakë të Berishës); dhe 29.3% mendonin se asnjëri nga dy politikanët kryesorë nuk do të përfitojë (33.4% ose nuk votuan vjet fare, ose votuan për kandidatë të tjerë për kryebashkiakë).
Në qoftë se unë do të kisha qenë një i anketuar i thjeshtë, do të bëja pjesë te grupi që mendon se asnjëri nga dy politikanët kryesorë nuk do të përfitojë nga fitorja e Trumpit – të paktën deri në maj.
Vetë Trumpi do ta ketë fokusin e politikës së tij të jashtme tek dhënia fund sa më shpejt e luftës në Ukrainë, Gaza dhe Liban, për të cilat ka bërë premtime solemne të përsëritura gjatë fushatës zgjedhore. Njerzit kryesorë pranë tij për politikën e jashtme, Sekretari i Shtetit (me gjasa Marco Rubio), Këshillltari i Sigurisë (me gjasa Richard Grenell), dhe ambasadorja në OKB (e emëruar tashmë Elise Stefanik) do të jenë tërësisht të preokupuar pas janarit për të materializuar premtimet solemne të shefit të tyre.
Në qoftë se do të jenë zgjidhur çështjet e mësipërme deri në verë, mund të kemi pastaj një fokusim të pjesshëm të administratës së re për Ballkanin. Por për Shqipërinë zorr se do t’i bjerë kujt ndërmend edhe atëherë. Po i ra ndërmend, do të jetë në funksion të ndikimit modest që mund të kenë politikanë të këtushëm tek ata kososvarë.
Me pak fjalë, deri në zgjedhjet parlamentare të majit në Shqipëri, vetëm ambasada amerikane në Tiranë dhe ndonjë zyrtar i ulët në departamentin e shtetit mund të merren me zhvillimet e brendshme rutinë të këtushme. Pas zgjedhjeve, ndoshta mund të kemi ndonjë kontakt zyrtar më të lartë mes Kryeministrit Rama dhe ndonjë të dërguari të posaçëm amerikan për Ballkanin…