Vendimi i Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë vazhdon të shkaktojë reagime në të gjithë kontinentin dhe gazeta Politico ndau disa detaje që i parapriu këtij vendimi.
Siç dihet, kryeministri hungarez Viktor Orban refuzoi të votonte për këtë vendim dhe u largua nga salla pak para votimit.
Megjithatë, gazeta thekson se Olaf Scholz është përgjegjës kryesor për këtë situatë ë pazakontë me liderin hungarez.
Scholz dyshohet se i tha Orbanit ta konsideronte largimin nga salla për një kohë nëse me të vërtetë nuk ishte i gatshëm të pranonte hapjen e negociatave të Bashkimit Evropian me disa vende të kontinentit.
“Tri orë pas ‘ngërçit’ midis liderëve të BE-së për pranimin e Ukrainës në bllok, kancelari gjerman i sugjeroi Viktor Orbanit, ‘Dil pije një kafe përpara sallës'”, shkruan Politico.
Kancelari gjerman ia dha këtë “këshillë” udhëheqësit hungarez në margjina të takimit dhe pasi mbaruan bisedën, lideri hungarez u largua nga dhoma.
“Ideja që një nga liderët e vendeve të BE-së të largohet nga dhoma për të marrë një vendim unanim është shumë e pazakontë. Zyrtarët dhe diplomatët e BE-së në samit nuk mund të thonë nëse lëvizja e Scholzit ishte përdorur ndonjëherë më parë”, shpjegoi ai.
Një nga zyrtarët i tha Politico se Scholz përdori një truk që e kishte shfrytëzuar edhe më parë.
“Ai përdori një truk të vjetër që nga koha kur ishte anëtar i Socialistëve të Rinj. Scholz doli me propozimin në kohën e duhur”, shpjegoi ai.
Ndërkohë, Orban u shfaq në mediat sociale dhe tha se Hungaria nuk dëshiron të marrë pjesë në vendimin për hapjen e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë.
Gjithashtu, në orët e vona të natës, Orban vuri veton ndaj vendimit për t’i dhënë 50 miliardë euro shtesë ndihmë Ukrainës. /Telegrafi/