Pjesë e rrugës Egnatia, ura antike në Palaj drejt shkatërrimit nga amortizimi

1 year ago 27

Balkanweb app Get it on Google Play

Rruga Egnatia është jo vetëm një nga rrugët më të vjetra , por edhe një nga rrugët më të shkurtra që lidhte mes tyre Perëndimin me Lindjen. Egnatia është një nga rrugët më të vjetra dhe ndërkohë më të mëdha të Botës Antike, e cila në vendin tonë fillonte në Durrës dhe arrinte deri në Stamboll. “Egnatia” nga Durrësi e deri në Qafë-Thanë është monumenti më i njohur dhe më i rëndësishëm i antikitetit në Shqipëri.

Gjurmët e kësaj rruge janë ende mjaft të freskëta në segmente të konsiderueshme. Një nga të shumtat, Ura Antike të Rrugës Egnatia është edhe ajo në Palaj që gjendet në segmentin Peqin -Fatishe të Bashkisë së Peqinit. Ajo është një nga Urat prej guri, pjesë e infrastrukturës arkitekturore të rrugës Egnatia të ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit të dytë para erës së re.

Disa prej Urave përgjatë rrugës Egnatia i përkasin periudhës romake, ndërsa disa të tjera periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës. Ndër urat kryesore janë Ura e Topçiasit, Ura e Keçit, Ura e Kasharajt, Ura e Fatishtës në Palaj , Ura e Çopanajt, Ura e Haxhi Beqarit etj. Tre të parat janë ndërtuar gjatë periudhës romake dhe antikitetit të vonë.Për ndërtimin e tyre janë përdorur blloqe gurësh katër këndorë, të cilët lidhen ndërmjet tyre me llaç si dhe me ganxha hekuri të plumbosura.

Ura e Fatishtës në Palaj të Peqinit fatmirësisht ruhet e plotë edhe pse është dëmtuar në pjesën e sipërme të saj dhe në anën lindore ka pësur një çarje. Kjo urë është rreth tre metra e gjerë dhe lartësia e qemerit prej guri kap lartësinë 0,56 metra. Qemeri i Urës së Fatishtës në Palaj është i ndërtuar me gurë të gdhendur të lidhur me llaç dhe mendohet është ndërtuar në periudhën romake. Ali Kurti, një ish profesor në pension ,pasardhës i një familje autoktone nga Peqini i cili ka studiuar rreth historisë së rrugës Egnatia tregon detaje interesante të saj dhe sugjeron që studiuesit duhet të përkushtohen edhe më shumë për zbulimin e fakteve të tjera të reja, për trasenë, degëzimet, urat dhe stacionet e shumta të Rrugës Egnatia.

Ai ndërkaq shpreh keq ardhjen që ura në Palaj të Fatishes së Peqinit po rrezikohet nga amortizimi dhe askush nga institucionet nuk po tregon as kujdesin minimal për këtë vepër arti të Antikitetit. Ura të tilla janë mjaft të rralla në të gjithë botën dhe neglizhenca ndaj një pasurie të tillë është sa e pashpjegueshme, po aq e pafalshme ndaj atyre që e kanë për detyrë të kujdesen për këtë lloj trashëgimie të çmuar për të cilat turistë të të gjitha grupmoshave nga të katër anët e botës tregojnë interes të jashtëzakonshëm.

Rruga Egnatia nga Durrësi deri në Qafē Thanë dhe monumentet e saj mund të shfrytëzohen së tepërmi për turizëm në ditët e sotme dhe ringjallja e saj mund të fuqizojë ekonomitë lokale përgjatë gjithë gjatësisë së saj .Është koha që të ketë një vëmendje të shtuar të gjithkujt ndaj Rrugës Egnatia , një prej rrugëve më të njohurave mesdhetare në antikitet.

Kjo pasuri e rrallë ende nuk po shfrytëzohet në funksion të turizmit pasi nuk promovohet dhe fatkeqësisht për ekzistencën e saj flitet pak dhe shumë rrallë. Shqipëria është me fat që ka një segment mjaft të gjatë të Rrugës Egnatia si pasuri të saj , e cila mbetet një nga kryeveprat e Antikitetit , e cila lidhte Romën me Stambollin e sotëm .Rruga Egnatia ka qenë një nga rrugët më të mëdha e më të rëndësishme të botës antike dhe po kaq e rëndësishme duhet të jetë sot dhe përgjithmonë .

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article