Dëshmitari ndërkombëtar, Fredric Abraham, në ditën e parë në gjykatoren e Hagës ka folur për punën e tij në organizatën Human Right Watch dhe përvojën gjatë luftës në Kosovë.
Në çështjen gjyqësore kundër ish-krerëve të UÇK-së, ai është intervistuar nga prokurori Alan Tiger i cili është përballur me kundërshtime nga avokatët mbrojtës, veçanërisht Ben Emmerson, i cili ka thënë se po shkelen parimet e vendosura nga trupi gjykues.
Dëshmitari i ZPS-së ka thënë se në Human Right Watch ka punuar nga viti 1993, dhe nga kjo periudhë e deri në vitin 2000 në fokus të punës e ka pasur Ballkanin. Ai ka thënë se është i përfshirë në shkrimin e raporteve, në veçanti lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut.
I njëjti ka konfirmuar se ka dhënë dëshmi edhe në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi.
Derisa ka folur për angazhimin në Kosovë, ai ka thënë se nuk ka qëndruar në mënyrë të vazhdueshme këtu ndërsa ka përmendur udhëtimin e parë në maj ose qershor të vitit 1998. Sipas dëshmitarit, njerëzit kishin frikë të flisnin për veprimet që pretendohet të jenë kryer nga UÇK.
Këtu ka kundërshtuar mbrojtja e Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe, duke thënë se këto janë përshtypje të tij. Ndërsa avokati i Veselit, Ben Emmerson ka kundërshtuar edhe mënyrën e pyetjeve të prokurorit Tiger.
“Është shumë e qartë mënyra se si e ka përgatitur zoti Tiger (prokurori) këtë dëshmitar dhe mënyra se si i bën pyetjet këtu, ai po shkel të gjitha parimet që ju si trup gjykues i keni caktuar“, ka thënë Emmerson.
Ai ka përmendur një rast në një tjetër gjykim ku sipas tij trupi gjykues kishte refuzuar të pranonte dëshmi të tilla. Me kundërshtimin e avokatit Emmerson është pajtuar edhe mbrojtja e Thaçit. Në fund të seancës, dëshmitari ka përmendur edhe dy gazetarë serbë që sipas tij ishin ndaluar nga UÇK.
Lidhur me këtë ai ka thënë se kishin kërkuar takim me përfaqësuesit e UÇK-së, i cili sipas tij u ishte mundësuar.
Sipas tij, takimi ishte mbajtur në një fshat të Malishevës me Hashim Thaçin dhe Fatmir Limajn.
Pas kësaj, seanca është mbyllur dhe dëshmia e tij do të vazhdojë nesër para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kundërshtimet e mbrojtjes lidhur me këtë dëshmitar janë shfaqur që në fillim të seancës ku avokatët kanë deklaruar se dëshmia është e mbështetur në përshtypjet e tij. Ai është dëshmitari i 22-të me radhë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërsa është vetëm dëshmitari i katërt që po dëshmon pa masa mbrojtëse në këtë proces gjyqësor ku nuk u publikua identiteti i 18 dëshmitarëve të cilët u dëgjuan në seanca të mbyllura për publikun.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./ KosovaPress
Top Channel