Të hënën Qeveria e Serbisë e shpalli Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” dhe miratoi projektligjin i cili parasheh ndjekjen penale të atyre që, sipas Beogradit, persekutojnë popullatën serbe në Kosovë.
Këtë veprim të Serbisë ndërkombëtarët e kanë cilësuar si shkelje të marrëveshjeve të dialogut dhe kanë kërkuar rishqyrtimin e vendimeve të marra.
Pas reagimit të Kosovës, SHBA-së dhe BE-së, të premten ka reaguar edhe Gjermania.
Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit më me ndikim në BE ka kërkuar zbatimin pa vonesa të marrëveshjes së arritur një vit më parë.
“Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe për juridiksionin mbi veprat penale shkel qartë obligimet e saj nga dialogu. I kërkojmë Serbisë që ta rishqyrtojë. Të dyja shtetet, Kosova dhe Serbia, duhet të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në reagim të MPJ-së së Gjermanisë.
Ndërkaq sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, vendimet synojnë përmirësimin e jetesës së serbëve.
“Legjislacioni në fjalë është në të vërtetë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurinë shoqërore të popullit serb në Kosovë, duke qenë në linjë me përkushtimin tonë më të gjerë për stabilitet në rajon. Edhe me rezolutën e Kombeve të Bashkuara, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme, përmes së cilës BE-ja mori rolin e ndërmjetësuesit në dialog, thuhet se dialogu duhet të ketë synim përmirësimin e jetës së njerëzve”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Serbisë.
Në këtë kohë Kosova është fokusuar më së tepërmi tek fushata zgjedhore për zgjedhjet e reja që janë përcaktuar të mbahen me 9 shkurt të vitit të ardhshëm.
Duke qenë në këtë situatë, duket se Serbia po e shfrytëzon këtë moment, duke i gjetur institucionet e Kosovës të papërgatitura?
Lidhur me këtë ҫështje në një prononcim për ‘Bota sot’, ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Prof.dr. Enver Bytyҫi. Ai thotë se, Serbia ka nisur të sillet tashmë edhe juridikisht si sovrane në Kosovë. Kjo që ka ndodhur kohët e fundit me shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale” dhe miratimin e lligjit projekt-ligjin, sipas të cilit të ndiqen penalisht ata që “persekutojnë popullatën serbe në Kosovë” është shpallje lufte ndaj Kosovës.
Prof.dr. Enver Bytyҫi
“Kur një shtet tjetër, në këtë rast Serbia, miraton ligj për “mbrojtjen e serbëve” në Kosovë, duke kërcënuar me ndjekje dhe dënime penale, atëherë këtu kemi dy probleme të mëdha: - Në njërën anë mospajtimin e mosnjohjen e Kosovës si shtet sovran e të pavarur. Në anën tjetër, kërcënim për luftë, me qëllim rikthimin e Kosovës nën sovranitetin serb. Pra, dy ligjet e lartpërmendura nuk kufizohen thjesht me mosnjohjen e Kosovës. Nuk cënojnë vetëm angazhimin e Serbisë për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit dhe aneksin e Marsit 2013. Këto ligje “legjitimojnë” autoritetet e Serbisë, sidomos gjyqësorin, të veprojë në territorin e Kosovës. Por kjo është jo thjesht tensionim i situatës midis dy vendeve dhe në rajon. Është arsye e mjaftueshme për të legjitimuar ndërhyrjen e Beogradit në shtetin dhe institucionet e Kosovës”, vlerëson ai.
Ai thekson poashtu se, ndërkombëtarët e dinë se popullsia serbe në Kosovë nuk persekutohet e nuk përndiqen. Ndiqen penalisht ose ligjërisht vetëm ata qytetarë të Kosovës që shkelin ligjet e saj. Këta qytetarë përggjigjen para ligjit njësoj si të jenë shqiptarë, si të jenë serbë, boshnjakë, romë, kroatë apo egjyptianë.
“Nuk ndodh që shteti dhe institucionet e Kosovës, policia dhe organet gjyqësore të saj, të përndjekin dhe persekutojnë serbët që jetojnë në këtë vend. Nuk ka asnjë interes që Kosova ta bëjë këtë gjë. Prandaj ligji i ndjekjes penale “të atyre që perndjekin serbët” është ligj i hipokrizisë serbe, dëshmon se udhëheqja e Beogradit është një udhëheqje intrigante.
Ka gjithashtu një lidhje midis këtyre dy ligjeve dhe deklarimeve në institucionet ndërkombëtare të liderëve serbë sa i përket pozitës së qytetarëve serbë në Kosovë. Këta liderë në një farë mënyre kanë paralajmëruar se do të bëjnë ligje të tilla, që veprojnë jashtë territorit të Serbisë, kur vazhdimisht thonë se “Qeveria Kurti persekuton dhe përndjek serbët në Kosovë”! Me këtë teori Vladimir Putin e nisi luftën kundër Ukrainës. “Po persekutohen rusët në Krime e në Ukrainën Lindore”, thoshte ai. Dhe nisi luftën në emër të “Bptës ruse”! E njëjta taktikë dhe strategji po ndiqet nga Aleksandër Vuçiq. Ligjet që përmendëm janë pasojë e përpjekjeve për të krijuar “Botën serbe”, thotë profesor Bytyҫi.
Ai thotë gjithashtu se, jo rastësisht këto dy ligje dolën në skenë pak ditë para zgjedhjeve në SHBA. Në Beograd shpresojnë se Donald Trump do të vijë në Shtëpinë e Bardhë dhe miratuan ligjin para zgjedhjeve, që të mos keqinterpretohen pas ardhjes së Trump si president i SHBA-ve.
“Por unë besoj se Vuçiq dhe liderët e tjerë në Beograd do të zhgënjehen nga politika e Trump në Ballkan. Trump nuk është i çmendur që të nisë një konflikt në Ballkan e në Europë me politika të ndryshimit të kufijve. Ai ka shumë mundësi të imponojë zgjidhje, duke investuar miliarda dollarë në vendet në konflikt në rajonin tonë. Kjo është mënyra se si ai vepron. Nuk rend pas politikave të krijimit të konflikteve, siç ndodhi me Barak Obamën sidomos. Europianët dhe DASH kanë reaguar për miratimin e këtyre dy ligjeve që tensionojnë situatën në rajon. Nuk kam parë të reagojë ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill. Por Gjermania dha paralajmërim serioz. Megjithatë nuk besoj se Vuçiq do të tërhiqet. Ai e ka testuar tashmë Perendimin, diplomatët e të cilit ishin e ndoshta janë të gatshëm të fajësojnë Kosovën edhe për këto ligje që bën Beogradi kundër saj. Për këtë asrye do të duhet që qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës të reagojnë. Së pari atë duhet të njoftojnë të gjitha qendrat ndërkombëtare, deri te sekretari i Përgjithshëm o OKB-së dhe presidenti amerikan. Të shpjegojnë arsyet e miratimit të këtyre ligjeve, jo vetëm si shkelje të marrëveshjeve të dialogut, por edhe si përpjekje për destabilizim të rajonit. Të bindin partnerët ndërkombëtarë se kjo që po bën Aleksandër Vuçiq mund të çojë në luftë. T’u thonë atyre se Kosova është e gatshme të luftojë deri në ushtarin e fundit për ta mbrojtur sovranitetin e saj të kërcënuar nga Serbia. Nëse ndërkombëtarët, sidomos ata në Perendim binden se shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të Kosovës janë të gatshëm të luftojnë për mbrojtjen e sovranitetit dhe të çdo pëllëmbe të territorit kosovar, ata do të angazhohen seriozisht për ta detyruar Serbinë të pranojë shtetin e Kosovës”, thotë ai.
Pror.dr. Bytyҫi thotë se nga ana tjetër, në Kosovë politika duhet të bashkohet. Çdo përçarje shkon në favor të përpjekjeve serbe për destabilizimin e Kosovës dhe të rajonit. Kur është fjala për sovranitetin dhe tërësinë territoriale nuk ka pse të ketë dallime politike.
“Nuk ka opsion të kundërt, përveç mbrojtjes së tij. Lëvizja e Serbisë natyrisht që lidhet edhe me zgjedhjet e 9 shkurtit. Ka një interes të shtuar në Beograd që të pengojnë fitoren absolute të qeverisë Kurti. Edhe unë në kushte normale nuk do të doja fitoren absolute të Kurtit e të asnjë force politike. Sepse koalicionit garantojnë më shumë liri e demokraci. Por jam dhe do të jem kundër një politike që i konvenon Serbisë. Serbia duhet përzënë njëherë e mirë nga Kosova. Jo duke i dhënë asaj, siç kërkon p.sh Luta, por duke i marrë asaj dëmshpërblime për krimet, masakrat dhe genocidin që ka kryer kundër shqiptarëve në Kosovë”, vlerëson ai.