Pas më shumë se katër orësh dhe dhjetëra pyetjesh, presidenti rus, Vladimir Putin ka folur rreth disa çështjeve, duke përfshirë luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Perëndimin dhe rritjen e çmimit të vezëve në Rusi.
Në këtë drejtim, Sky News ka bërë një përmbledhje të tyre, përcjell Telegrafi:
‘Lufta civile’: Putin i përshkroi rusët dhe ukrainasit si “një popull” dhe pushtimin si “një tragjedi të madhe që i ngjan një lufte civile midis vëllezërve”.
‘Binjaku’: Një video e krijuar nga Inteligjenca Artificiale u transmetua duke pyetur presidentin nëse ai ka “shumë binjakë” dhe cilat janë qëndrimet e tij ndaj Inteligjencës Artificiale.
Tekste kritike: Një varg pyetjesh që ishin në mënyrë të drejtpërdrejtë kritike për Putinin dhe ndikimin e pushtimit të tij në Ukrainë u shfaqën në ekran – por nuk pati përgjigje nga presidenti rus.
Marrëdhëniet perëndimore: Putin tha se Rusia mund të normalizojë marrëdhëniet me SHBA-në vetëm pasi të tregojë respekt dhe të kërkojë kompromis në vend që të përdorë forcën ose sanksionet.
Presidenti francez: Putin tha se Franca i ndërpreu marrëdhëniet me Rusinë, jo anasjelltas. Ai tha në konferencë se do të ishte i hapur për të takuar Emmanuel Macron, por vetëm nëse presidenti francez ishte i interesuar.
‘Unë jam demokrat’: Një reporter i New York Times vuri në dukje se kjo është hera e parë që nga fillimi i luftës që gazetarëve perëndimorë u lejohet të marrin pjesë në një ngjarje të tillë dhe Putin fajësoi me shaka sekretarin e tij të shtypit. “Unë jam një person demokratik”, citohet të ketë thënë ai.
Lufta Izrael-Hamas: “Asgjë si Gaza” nuk po ndodhte në Ukrainë, tha ai, duke e përshkruar konfliktin në Lindjen e Mesme si një “katastrofë”.
Kundërofensiva: Ukraina ka “dështuar kudo”.
Qëllimet e pushtimit: Ato “mbeten të pandryshuara” dhe Rusia kërkon çmilitarizimin dhe “denazifikimin” e Ukrainës.
Çmimi i vezëve: Putin i kërkoi falje një banoreje për koston e vezëve. /Telegrafi/