Zëvendës Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me një shqetësim sipas saj që është rritja alarmante e çmimeve të frutave dhe perimeve, thuajse në të gjithë vendin.
Xhixho thotë se në krahasim me Italinë fqinje, për të njëjtat produkte paguajmë 70-80% më shtrenjtë, ndërkohë që pagat në Shqipëri janë shumë më të ulëta se në Itali.
Sipas Xhixhos, rritja e çmimeve po arkëton më shumë para në buxhetin e shtetit se një vit më parë.
‘’Në katër muajt e parë të vitit u mblodhën 231.6 miliardë lekë, plot 24.1 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar, në vend që të shkojnë për shtresat në nevojë, arsim cilësor apo shërbim shëndetësor, ato do të përfundojnë në xhepat e klientëve të qeverisë dhe ministrave të saj të korruptuar’’, shkruan Xhixho.
Postimi i plotë:
”Përshëndetje! Të nderuar qytetarë. Jam sot para jush për të përcjellë shqetësimin e qindra qytetarëve të Tiranës, por edhe të qytetve të tjera të Shqipërisë, për rritjen alarmante të çmimeve të frutave dhe perimeve.
Në pamundësi për të vënë në tryezë produktet e stinës, qytetarët dhe në veçanti pensionistët, kanë denoncuar prej javësh në media çmimin abuziv të tyre. Për shumë prej tyre, frutat dhe perimet janë kthyer në “mollën e ndaluar” që nuk mund ta prekin as kur kanë stinën e tyre.
Nga fermeri e deri te konsumatori, çmimi dyfishohet, pasi qeveria e inceneratorëve mbyll sytë para abuzimit hapur me çmimet e produkteve bujqësore.
Ky abuzim thellon akoma më tej krizën e çmimeve që nisi në fillim të vitit 2022, të cilën qeveria refuzoi ta zbuste sadopak duke hedhur poshtë kërkesët tona për heqjen e TVSH-së së produkteve të shportës.
Në krahasim me Italinë fqinje, për të njëjtat produkte paguajmë 70-80% më shtrenjtë, ndërkohë që pagat në Shqipëri janë shumë më të ulëta se në Itali.
Tani, Autoriteti i Konkurrencës u zgjua nga gjumi dhe arriti të shohë një të vërtetë që e kemi parë të gjithë me sytë tanë përditë: Nga prodhuesi deri tek konsumatori fundor, çmimi i frutave dhe i perimeve është shtrenjtuar deri në 100%.
E paguajnë fermerët e penalizuar me heqjen e fondeve IPARD, për shkak të korrupsionit qeveritar.
E paguajnë qytetarët e varfër të vendit, që nuk mbyllin dot muajin.
Ato që përfitojnë janë monopolet e ngritura me bekimin e qeverisë!
Sepse i tillë është sistemi që ka ngritur kjo qeveri: paguan më i varfri që të përfitojë vetë qeveria dhe oligarkët e saj.
Bllokimi i fondeve IPARD dhe detyrimi për të kthyer mbrapsht disa miliona euro të fondeve të mëparshme është prova më e qartë se kush vjedh dhe kush e paguan dëmin.
Rritja e çmimeve po arkëton më shumë para në buxhetin e shtetit se një vit më parë. Në katër muajt e parë të vitit u mblodhën 231.6 miliardë lekë, plot 24.1 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar. Në vend që të shkojnë për shtresat në nevojë, arsim cilësor apo shërbim shëndetësor, ato do të përfundojnë në xhepat e klientëve të qeverisë dhe ministrave të saj të korruptuar.
Shqipëria dhe shqiptarët janë futur në një spirale korrupsioni dhe abuzimi, që vetëm thellohet.
60% e buxhetit të tyre familjar shkon për ushqimin. Jemi të fundit në rajon për fuqinë blerëse.
Në Shqipërinë e 10 milionë turistëve të kryeministrit, shqiptarët e varfër nuk përballojnë dot as një javë pushime në vit. Ndaj plazhet e Jugut janë sivjet më bosh se asnjëherë tjetër.
Shqiptarët vijojnë të mbeten të fundit në Europë për të ardhurat për frymë me 35% të mesatares europiane. Rritja ekonomike nuk ka prodhuar mirëqenie, sepse ekonomia e vendit është vënë në funksion të një pakice, e cila me bekimin e qeverisë shmang taksat e ndan me të paratë e taksapaguesve të varfër.
Është emergjente të merren masa për të mbrojtur nga abuzimi i dyfishtë fermerët dhe qytetarët, të cilët kanë paguar deri tani kostot e rënda të korrupsionit qeveritar dhe krizave të çmimeve.
Vendosja e ekuilibrave në treg është domosdoshmëri për të shmangur falimentimin e fermerëve dhe zhytjen e qytetarëve në varfëri akoma më thellë.
Faleminderit”. shkruan Xhixho.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb