Kryeministri Edi Rama këtë fillim viti ndërmerr një ndryshim në kabinetin qeverisës duke larguar ministren e kulturës Elva Margariti e zëvendësuar atë me Blendi Gonxhen një prej ish bashkëpunëtorëve të afërt kur drejtonte bashkinë Tiranë.
Këtë ndryshim kryeministri e komentoi si nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, duke krijuar një ministrie të re.
Atë të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës.
Duke komentuar këtë lëvizje të re në kabinet kryeministri Edi Rama thotë: Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhja, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nën sektorit përkatës në kornizën e standardeve europiane.
Sipas kryeministrit kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër.
Sektori i ekonomisë në tërësi thekson kryeministri, kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.
“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial”.
Elva Margariti shërbeu si ministre e kulturës që prej janarit të 2019.
Ajo vinte nga arkitektura e megjithatë përveç profilit të ulët politik që ka mbajtur gjatë këtyre pesë viteve ne kabinet, nuk ka lenë shenja pozitive as në aspektin menaxherial. Përgjatë këtyre viteve në krye të ministrisë së kulturës ka pasur vazhdimisht polemika për disa vendimmarrje, jo të mirëpritura nga komuniteti artistik si p.sh Galeria Kombëtare e Arteve vazhdon të jetë e mbyllur për publikun, megjithëse projekti i rikonsktruksionitduhet duhet të kishte përfunduar. Muzeu Kombëtar nuk është rikonstruktuar ende.
Salla koncertore e Universitetit të Arteve edhe pse u përurua ende nuk funksionon.
Top Channel