Gjatë vizitës dy ditore në Madrid, kryeministri Edi Rama është takuar me rektoratin e Universitetit Kombëtar të Edukimit në Distancë, UNED.
Teksa ka ndarë fotot nga takimi, Rama ka dhënë lajmin se këtë vit kampusi i Gjirokastrës do t’i bashkohet sistemit europian të UNED-it duke u dhënë studentëve tanë mundësinë e programeve dhe diplomave të UNED, pa lëvizur nga Shqipëria
“Madrid – Mëngjes pune në rektoratin e UNED, (Universiteti Kombëtar i Edukimit në Distancë), me të cilin po punojmë për kampusin e Gjirokastrës, që këtë vit do t’i bashkohet sistemit europian të UNED-it duke u dhënë studentëve tanë mundësinë e programeve dhe diplomave të UNED, pa lëvizur nga Shqipëria”-shkruan Rama në Facebook.
Kryeministri Rama pritet të marrë pjesë sot në çeljen e Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “FITUR 24” që do të bëhet nga Mbreti i Spanjës Felipe VI, ku do të prezantohet diversiteti i pasur turistik i vendit tonë, si një destinacion unik për t’u promovuar e vizituar. Gjatë pjesëmarrjes në panair, Kryeministri Rama do të takohet me sipërmarrës dhe drejtues të kompanive prestigjioze botërore, si dhe përfaqësues të Organizatës Botërore të Turizmit.
Top Channel