Gazetari Ilir Ikonomi në emisionin “Open” në News24 ka folur për vëllimin e parë të librit Apostull, për të cilin tha se ka gjetur detaje interesante mbi Fan S. Noli, duke theksuar se ai shkonte në Vjenë, për të gjetur në arkiva të dhënat për Skënderbeun.
“Kur ai erdhi në Shqipëri, ai pati rastin të shkonte në Vjenë. Gjithashtu ai tentoi të shkonte në Moskë, por nuk u pajis me vizë. Në vitin 1923 bën një tjetër përpjekje për të shkuar në Moskë, këtë rradhë qeveria atje ia dha vizën, por Noli hezitoi të shkonte, pasi nuk do të mirëpritej ky udhëtim në Shqipëri”, rrëfeu Ikonomi.
Gjithashtu, gazetari zbuloi se Nolin nuk e kanë lejuar të zbresë nga anija në Durrës, ndërsa në Vlorë pa zbritur nga anija, e kishin pritur mirë.
Përsa i takon marrëdhënieve të Nolit me Qeverinë shqiptare apo për përfshirjen e tij nga Kisha në politikë, Ikonomi tha se Noli ishte shumë ambicioz dhe ai mendonte se do të ishte njeriu i vetëm që do të sillte ndryshimin në Shqipëri.
“Noli u mor me kishën në Korçë dhe e njoftuan se e kishin zgjedhur ministër të Jashtëm. E njoftonin Nolin në mënyrë telegrafike që të vinte në Tiranë dhe ai i thoshte jo nuk vij. Më në fund ai pranoi me ndikimin e Zogut. Ne kishim përshtypjen se ata ishin armiq, por në fillim ata ishin miq të mirë. Ka dokumente që Noli i kërkonte Zogut që të paguante shërbëtorin, të paguante qeranë e shtëpisë, madje edhe të priste mobiljet e shtëpisë së Nolit që vinin në portin e Durrësit. Dhe Zogu i kthente përgjigje: shërbëtorin e pagova, qeranë e banesës e pagova dhe mobiljet nuk kanë ardhur ende. Në këtë kohë Zogu ishte ministër i Brendshëm, ndërsa Noli i çonte telegrame nga Italia. Pastaj Noli nisi atë luftën për ta rrëzuar”, tha Ikonomi.
Gazetari ka zbuluar një tjetër detaj interesant kur Sejfulla Malëshova i shkruante Nolit nga Roma. “Më vjen keq që nuk je këtu se po jepen shfaqjet e reja”, ishte detaji i zbuluar nga Ikonomi, duke shtuar se kjo e bënte të kuptonte se Noli dhe Malëshova shkonin dhe shikonin bashkë këto shfaqjet.
Ikonomi tha se Noli ishte i majtë, ndërsa Zogu ishte për një Shqipëri të stabilizuar. “U bë një grusht shteti, i shkuan Pandeli Evangjelit, kryeministrit të asaj kohe, në hotel dhe i kërkuan dorëheqjen, në një kohë kur Parlamenti ishte shpërndarë. E mori Qeverinë, Kaculi i cili pendohet 6 orë pasi mori detyrën, pra kishim një grusht shteti”, tha gazetari.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb