Raporti i UNESCOS për rreziqet e sfidat e Butrintit, reagon Ministria: Objektiv e korrekt, do të menaxhohet si një i tërë

4 months ago 3

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar për herë rë parë zyrtarisht pas raportit të UNESCOS për Butrintin.

MEK-i shprehet se e gjen raportin korrekt e objektiv, dhe se sa i takon shqetësimit të UNESCO-s për menaxhimin e parkut si një i tërë, pa e ndarë atë në zona, ministria premton se do të ngrejë një strukturë bashkë me Ministrinë e Turizmit për administrimin dhe thjeshtëzimin e sistemeve mbrojtëse të nënzonave. Ministria megjithatë nuk përmend asgjë për kufijtë e Butrintit, të cilët kërkohen me urgjencë nga Unesco.

ÇFARË THA UNESCO
Raporti i UNESCO-s vërente se sqarimi i kufijve të pronës dhe i zonës së mbrojtur është urgjent dhe se Sqarimi urgjent kërkohet mbi si do të menaxhohen e konservohen seksionet e pronës që nuk mbulohen nga harta e A3(zona arkeologjike) që do të administrohet nga Fondacioni i Butrintit”. UNESCO shprehte keqardhje që ky sqarim i kufijve të pronës dhe zonës së mbrojtur, që pritet që nga 15 shkurti i vitit 2023, është ende në pritje.
Pak ditë më parë UNESCO publikoi raportin e fundit mbi Parkun Kombëtar Arkeologjik të Butrintit duke analizuar rreziqet dhe duke kërkuar sërish përcaktimin e kufijve të sitit, një raport që erdhi pas shkëputjes nga parku të 600 Ha tokë mbi të cilar po ndërtohet kompleks rezidencial. Që në krye, UNESCO (organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturë) vërente se katër janë faktorët që mund të ndikojnë mbi Butrintin në vitin 2024: ndërtimet, aktivitetet e jashtëligjshme, ndikimi i turizmit dhe plani i menaxhimit ose sistemet e menaxhimit. Më 4 tetor 2023, Qendra e Trashëgimisë Botërore ftoi Shtetin Palë, Shqipërinë të dorëzonte një raport mbi gjendjen e ruajtjes (së Butrintit) pas informacionit të marrë nga palët e treta për ndërtimet e reja dhe objekte turistike në pronën e Trashëgimisë Botërore, me prova mbështetëse vizuale, si dhe gjetjet e Qendrës së Përbashkët të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s/lCOMOS.

REAGIMI I MINISTRISË SË KULTURËS

📣 Qëndrim publik i Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Projekt-Vendimin e fundit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO) për Butrintin. Ata që prej shumë kohësh kanë përhapur në shqip dhe anglisht disa të pavërteta, ndonjë të vërtetë të nxjerrë jashtë konteksti dhe shumë gjysmë të vërteta, duke shpresuar kthimin e Butrintit në të kaluarën e vet të errët të Listës së Pasurive Botërore në rrezik, kanë plotësisht të drejtë të ndihen të zhgënjyer pas publikimit të projekt-Vendimit të QTB në fillim të javës së shkuar. Dokumenti që do t’i përcillet Komitetit të Trashëgimisë Botërore për t’u kthyer në vendim zyrtar, bazohet në analizën e detajuar të UNESCO-s për punën e MEKI-t dhe partnerëve të saj në studimin, konservimin, administrimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Butrintit, si dhe plotësimin e rekomandimeve të ICOMOS-it. MEKI si përfaqësues i shtetit shqiptar në Konventën e Trashëgimisë Botërore e gjen projekt-vendimin dhe raportin analitik të tij si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt. Vëmë re me kënaqësi se aty, jo vetëm që nuk evokohet e shkuara problematike e Butrintit, por përkundrazi, shihet nga e ardhmja duke vlerësuar bashkëpunimin e shtetit shqiptar me QTB për diskutimin e propozimeve zhvillimore në pasurinë botërore dhe peizazhin e saj të mbrojtur. Mirëpriten studimet shkencore dhe ato të ndikimit mbi pasurinë kulturore që i paraprijnë projekteve zhvillimore, progresi i bërë drejt formulimit të instrumentave të nevojshëm për konservimin dhe administrimin e Butrintit, progresi i bërë në përditësimin e planit të veprimit dhe mirëpërgatitjen e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit për zbatimin e tij. Gjithashtu, aty mbështeten përpjekjet e MEKI-t për krijimin e një strukture të përbashkët me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për administrimin e gjithë Parkut Kombëtar si një i tërë, si dhe punën e nisur për thjeshtëzimin e sistemeve mbrojtëse të nën-zonave përbërëse të tij. Në projekt-vendim lihen edhe një sërë detyrash që MEKI do të duhet të realizojë brenda fillimit të vitit 2025. Ne ndajmë të njëjtin mendim me UNESCO-n për këto detyra dhe kemi filluar menjëherë nga puna për plotësimin e tyre, pasi i konsiderojmë si themelore për sigurimin e mbrojtjes, zhvillimit dhe përballimit të sfidave të ardhshme mjedisore, klimatike, shoqërore dhe ekonomike të Butrintit. Gjithashtu, me qëllim shpeshtimin e komunikimit dhe forcimit të mëtejshëm të koordinimit me UNESCO, është formuar një ekip i posaçëm ekspertësh dhe specialistësh me përvojë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Fokusi i këtij ekipi është procesi i vazhdueshëm i informimit reciprok, dialogimit dhe koordinimit cilësor me UNESCO-n dhe me palët e tjera të interesit, si dhe përkthimin e rezultateve nga ky proces në linja pune të bashkërenduar me ministritë e linjës, bashkitë, partnerët dhe komunitetin. Së fundmi, është përcaktuar dhe një agjendë takimesh për thellimin e bashkëpunimit, duke filluar nga takimi i radhës në Paris, në 27 qershor 2024, mes përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s dhe Ministrave të MEKI dhe MTM, së bashku me ekipet teknike përkatëse. Ky takim do t’i paraprijë sesionit nr. 46 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në New Delhi, Indi, që do të mbahet në datat 21-31 korrik 2024. 😇 #MEKI #MTM #BMF #AADF #UNESCO #ICOMOS #ParkuKombëtariButrintit #IKTK 🇦🇱
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Read Entire Article