Reforma në drejtësi, Rama falenderon Blinken: Ka rënë monumenti i pandëshkueshmërisë

8 months ago 18
18:07 15/02/2024

Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, e ka falenderuar këtë të fundit për mbështetjen e SHBA-së në procesin e reformës në drejtësi.

Kreu i qeverisë u shpreh se shumë vite më parë nuk konceptohej që njerëzit me pushtet të dilnin përpara drejtësisë, ndërsa sot kjo është e mundur, madje ka ndodhur edhe me njerëz me pushtet të lidhur “me pushtetin ekzistues ekzekutiv” që thirren për të dhënë llogari përpara ligjit.


“Në mbyllje dua ta falenderoj edhe publikisht për çka në mënyrë të përsëritur kemi thënë në të gjitha kontaktet me miqtë amerikanë dhe çka e përsërita dhe në takimin që patëm për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend që nuk ka patur kurrë drejtësi dhe ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte standardi që i bënte qytetarët e këtij vendi qysh nga krijimi i shtetit shqiptar të besonin se asnjëherë në Shqipëri nuk do të ishte e mundur që ligji do të ishte i barabartë për të gjithë dhe që askush të mos ishte mbi ligjin duke na mundësuar që sot, ne të shohim se jo, edhe në Shqipëri si në çdo vend ambicioz për fëmijët e vet është e mundur që njerëz me pushtet të lidhur edhe me pushtetin ekzistues ekzekutiv të thirren për të dhënë llogari përpara ligjit për shkelje të ligjit. Kjo është diçka peshën dhe vlerën e së cilës Shqipëria do të mund ta konceptojë të tërën shumë vite më pas, por një gjë e dimë që sot. Kur nisëm përpjekjen për reformën në drejtësi dhe morëm mbështetjen nga aleatët tanë, të gjitha anketimet dhe pyetjet lidhur me këtë reformë që i bëheshin publikut gjenin një mbështetje masive pavarësisht përkatësive politike dhe përtej polarizimit tradicional politik, të majtë dhe të djathtë, të interesuar apo jo për politikë e mbështesnin reformën në drejtësi. Se nuk është sekret zoti Sekretar që këtu ne kemi problem që të gjejmë konsensus dhe për orën. Nëse pyetemi sa është ora kemi një orë të majtë, një orë të djathtë, kemi dhe një orë të qendrës. Por pyetjes nëse ata që mbështesnin reformën në drejtësi e besonin që në jetën e tyre do të shikonin njerëz të pushtetshëm para drejtësisë shumica i përgjigjeshin, jo. Ja ku jemi sot, dhe jetojmë një kohë ku monumenti i pandëshkueshmërisë dhe miti i pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar. Natyrisht kemi shumë punë për të bërë akoma. Kemi folur për sfidat, kemi folur për nevojën e thellimit të reformës, kemi folur për domosdoshmërinë e përballimit të fenomenit të korrupsionit si një fenomen që duhet parë tanimë në lupën edhe të procesit të integrimit me të gjitha kërkesat e veta, por ama nëse sot ka një arsye të rëndësishme për të qenë më të bindur se asnjëherë tjetër për vlerën e këtij partneriteti, për vlerën e kësaj miqësie, kjo arsye është angazhimi i partnerëve tanë në mbështetje dhe në ndihmë për të ndryshuar një faqe të historisë së Shqipërisë që dukej e palëvizshme për gjithë jetën dhe për gjithë brezat”, tha Rama./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article