Ndërsa pak orë na ndajnë nga seanca për nisjen e sesionit të ri parlamentar, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka rikthyer vëmendjen te çëshjtet pezull që ndajnë mazhorancën dhe opozitën; komisionet dhe ndryshimet në Kodin zgjedhor.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Bylykbashi shkruan se OSBE kërkon konsensus gjithëpërfshirës, çdo patericë e Ramës bën vetëm dëm.
“Asgjë nuk ka ndryshuar nga ajo me të cilën u mbyll sesioni i shkuar parlamentar. Kemi kërkuar dy çështje në parlament. Hetimin e aferave korruptive, pra kjo që paraqitëm sot, një pjesë e komisioneve janë për këtë çështje. Dhe në fusha të tjera ka komisione të tjera. Kërkojmë të hetojmë se si shpërdorohen paratë publikut nga Edi Rama dhe ministrat e tij. T’i vëmë ata përpara përgjegjësi dhe mundësisht më pas të vendosim barrierat ligjore që pengojnë abuzimin.
Çfarë ndodhi? Më keq akoma se kur filloi aksioni i grupit parlamentar të PD. U miratua në fund një ligj që praktikisht vdes komisionet hetimore. Ligji që kemi ne sot, është ligj jo i mirë, por tashmë në 20 vite, nga viti 2002, të gjithë jemi mësuar të funksionojmë mbi atë bazë ligjore. Ajo që miratoi qeveria Rama, parlamenti është vetëm një divizion i qeverisë, miratoi një ligj që është shumëfish bllokues i komisioneve. Sepse nuk do që të hetohen këto që kemi denoncuar.
Pra, këto çështje nuk kanë ndryshuar. Arsyet pse ishim ne në atë aksion në parlament, nuk kanë ikur. Por unë përmenda një gjë tjetër, mekanizmi i centralizimit të pushtetit atij i shkon në funksion të diçkaje tjetër. Shteti përdor të gjitha resurset për të bërë vota për ta kthyer në pushtet. Drejtësia, SPAK dhe prokuroria e zakonshme nuk kanë bërë asgjë.
Raporti i OSBE në rekomandimin e parë për Shqipërinë, nuk thotë bëni reformën zgjedhore, por zbatoni ligjin që keni miratuar. Hetoni dhe vini përpara përgjegjësisë ata që kanë blerë vota, kanë presion me shtetin, kanë abuzuar me burimet shtetërore. Ajo që Edi Rama deklaroi, e mori përgjigjen menjëherë nga OSBE. OSBE doli me qëndrim ku kërkonte reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, që synon arritjen e objektivave të përbashkët konsensuale, sepse është pikërisht ajo që ka bërë OSBE. E ka ideuar në vitin 2002 dhe e ka mbështetur në 20 vite një reformë zgjedhore bipartizane.
Kërkesa jonë është refuzuar, kërkesa për të pasur bashkëkryesimin, barazinë në përfaqësim dhe veton e ka opozita, PD, pra ne. Çdo patericë e Edi Ramës në këtë proces, vetëm i bën dëm. Këtu nuk është çështja nëse Basha e ka çuar i pari, më kujton momentet kur vraponte i pari për të çuar një draft, por më pas ishte i pari që prishte komisionin e reformës. Por kjo nuk ka rëndësi.
Ajo që është e rrezikshme dhe që merr përgjigje nga OSBE, ku përfshihet edhe SHBA, edhe BE, edhe Britania, thotë se reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse, konsensuale nëse përkthehet ajo që thonë ata.
Ne jemi të gatshëm për të marrë kontributin e OSBE, që ata janë të gatshëm të na japin. Jo ajo që thotë Rama, kërkojmë arritjen e numrave. Arritjen e numrave e bëri në vitin 2020 me të cilën rrënoi Këshillin Politik. Dhe e ka bërë në gjithë këto vite që nga viti 2013, kur ndryshimet zgjedhore nuk kanë qenë konsensuale, por të njëanshme”– tha Bylykbashi.
Ligjvënësit lanë pas një sesion mes kaosit, flakadanëve dhe disa nismave ligjore që presin 84 vota. Peng i bashkimit të kartonëve janë amnistia penale, rritja e pagave për “Kushtetuesen” dhe zgjedhja e avokatit të ri të popullit, por edhe Reforma Zgjedhore. PS i ka shtrirë dorën opozitës që të bashkojnë votat për amnistinë penale. Megjithatë, edhe nëse nuk bien dakord kryeministri ka lënë të kuptohet se mazhoranca do të gjejë zgjidhjen edhe pa prezencën e opozitës. Ai nuk e mohoi se do tentohet konsensus aritmetik në seancë plenare dhe jo konsensus politik, siç ka ndodhur gjithmonë kur bëhet fjalë për reformën elektorale.
Top Channel