Kryetarja në Detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory, do të takojë ditën e sotme kryetarin e Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, për të bashkëbiseduar mbi procesin e Reformës Zgjedhore.
Mësohet se takimi do të zhvillohet në orën 14:00.
Kujtojmë se dy ditë më parë, të mandatuarit e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës në Komisionin e Reformës Zgjedhore gjetën gjuhën e përbashkët për të rinisur punën për ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Dy bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj hodhën firmat e tyre mbi letrën dërguar prezencës së OSBE në Tiranë ku i kërkohet ekspertë në fushën e zgjedhjeve për të asistuar punën e këtij komisioni.
Një ditë më parë Gjiknuri dhe Alibeaj u takuan me kryetaren në Detyrë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory.
Në një postim në rrjete sociale ajo theksoi se mirëpret rifillimin e punës të premten për Reformën Zgjedhore dhe përshpejtimin e saj javët e ardhshme.
“Takova sot b/kryetarët e komisionit të ref. zgjedhore @DGjiknuri @enkelejdalibeaj. Mirëpres rifillimin e punës të premten & përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë e ekspertizë nga @osceinalbania& @OSCE/odihr. Vijojmë takimet gj/përfshirëse për këtë reformë të rëndësishme“, shkroi ajo.
Top Channel