TIRANË, 7 Korrik/ATSH/- Komisioni i “Rithemelimit” në Partinë Demokratike, deklaroi sot se Pylli Orbital i cituar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk ekziston.

Në një deklartë për mediat, Anëtari i Këshillit Bashkiakë të Tiranës, Jonathan Pano, duke i’u referuar një Auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit për mjedisin dhe gjelbërimin në Tiranë, tha se Pylli Orbital rezulton me një nivel të ulët realizimi.

“Një auditim i Kontrollit të lartë të Shtetit për mjedisin dhe gjelbërimin në Tiranë ka provuar atë që zërat e pavarur dhe opozita trumbetojnë prej kohësh. Nuk ekziston një Pyll Orbital dhe ai është vetëm një prej fjalëve të rrjeshme në fjalorin e gjerë të të të pavërtetave të kryebashkiakut Veliaj. Kështu, pema e 1 miliontë është vetëm në kokën e kryebashkiakut dhe imagjinatën e atyre që paguhen për të besuar ricikluar broçkulla orbitale”,- tha Pano.

Sipas tij, “projekti i Pyllit Orbital për shkak të pamundësive financiare si dhe problematikave që lidhen me mungesën e hapësirave të nevojshme për mbjellje dhe çështjeve të pronësisë, rezulton me një nivel të ulët realizimi, megjithëse ka kaluar një pjesë e konsiderueshme e periudhës së zbatimit të këtij objektivi,” thuhet në raportin e auditit për vitin 2022 të prezantuar në Kuvend dje, ku u tha që pyll orbital nuk ka.

Tirana mund të kishte bërë edhe pa pyllin magjik Orbital, por çka e rrit ndotjen janë veprime dhe mosveprime të tjera të Bashkisë. Fatkeqësisht ai nuk ka mësuar të jetë i përgjegjshëm dhe llogaridhënës ndaj qytetarëve; nuk ka mësuar vlerën e mirësisë dhe dhembshurisë”,-përfundoi Pano.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.