Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun, Edvin Kulluri, ishte i ftuar në studion e “Ditarit”, në A2 CNN, ku deklaroi se deputetët e grupit Bardhi, që po mbështesin Sali Berishën, e bëjnë sepse mendojnë se ish-kryeministri ka më shumë mandate për të dhënë.
“Grupi i Gaz Bardhit ka votuar në rezolutën që ndau PD-në nga Sali Berisha, pasi u shpall “non grata”, që do të thotë se kanë kundërshtuar veten. Bardhi e ka shkruar vetë atë rezolutë dhe sot bën avokatin e Sali Berishës në Gjykatën Kushtetuese”, tha Kulluri.
“Zoti Bardhi dhe deputetët e tij ta harrojnë që ta marrin PD-në dhe ta çojnë ku të duan ata. PD-ja është parti politike, e regjistruar në gjykatë. Pasi gjykata të marrë një vendim, në 27 dhjetor, do të shohim”, shtoi Kulluri.
Në lidhje me mospjesëmarrjen e zotit Bardhi në protestën e thirrur nga Sali Berisha, të hënën, Kulluri u shpreh: “Kjo tregon pasiguri. Unë mendoj që Bardhi duhet t’i hyjë me kokë mbrojtjes së Berishës dhe mos të fshihet prapa komisioneve hetimore. O të jetë me Berishën, ose mos të jetë me Berishën. Pasi, me PD-në i ka shkëputur marrëdhëniet për shkak të disa vendimeve që ka marrë vetë, bashkë me deputetët që e shoqërojnë”.
Më tej, Kulluri konsideroi se Rithemelimi sillet si sekt, jo si parti politike.