Rrëfimi i gruas së Gramoz Pashkos: Takimi i fshehtë me Andreotin në Romë, përgjimet nga SHIK-u pas vitit 1992 dhe përplasja me Berishën

3 weeks ago 8
Reklamë

Të gjithë do të kishin dashur të ishin aty për një ditëlindje të tij. Të ishte mes tyre dhe të shkëmbenin batutat e rastit, sepse ai ishte një njeri me humor, me vullnet dhe dashuri për jetën. Kështu do ta kujtojnë të gjithë, gjithmonë.

“Antagonisti”, filmi dokumentar kushtuar Gramoz Pashkos, me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta, u shfaq mbrëmë në kinema “Millenium”. Filmi, i ideuar nga Henri Çili, me regji të Roland Sejkos dhe skenar të Armand Shkullakut, mblodhi dje të djathtë e të majtë, të afërm, miq e kolegë të Gramoz Pashkos, ekonomist, pedagog, politikan e, mbi të gjitha, intelektual i klasit të parë.

Mes shumë variantesh se si mund të ndërtonin profilin e një njeriu si Pashko, një figurë shumëdimensionale, protagonist në momente kyçe të historisë së pasdiktaturës në Shqipëri, Sejko dhe Shkullaku zgjodhën atë përmes rrëfimit të të afërmve dhe miqve të tij.

Të atyre që e njohën jashtë kamerave të televizioneve, që nga bashkëshortja, Mimoza, te bashkëpunëtorët e ngushtë, si Genc Ruli, Preç Zogaj, Spartak Ngjela e miku i tij i fëmijërisë dhe rinisë, Bashkim Shehu.

Dokumentari rrëfen Pashkon që nga momenti i njohjes me Mozën, njëkohësisht motra e Genc Rulit, përfshirja në lëvizjen demokratike, futja në politikë, përplasjet e mëdha me Sali Berishën, që në momentin e zgjedhjes së kryetarit të PD-së, dorëheqjes së sforcuar nga Qeveria e Stabilitetit dhe ai kongres, gjatë të cilit, nën thirrjet e sallës, ai do të “profetizonte” kohët e vështira që do të kalonte PD-ja.

Dokumentari nis me atë moment fatal, me atë hedhje e më pas përplasje, që do t’i merrte jetën atij dhe më pas të birit, Rubenit, më 16 korrik 2006.

Zhurma e helikës së helikopterit dhe muzika rrok, ashtu siç ishte natyra e tij, e shoqërojnë gjithë filmin, po aq edhe materialet filmike, që e zbulojnë Pashkon në jetën e tij private, por më së shumti në aksionin politik; që nga kohët e bodrumit të famshëm, ku qysh para rënies së sistemit mblidheshin intelektualët e kohës, deri në momentin kur ai iu dedikua pedagogjisë.

Intervista pro Kadaresë

Nëse kamera na ka zbuluar ndër vite aktivitetin politik apo edhe profesional të Pashkos, është bashkëshortja, Mimoza, me të cilën ai do të lidhej qysh në vitin 1975, e cila tregon për Gramozin njeri; atë me të cilin zihej e pajtohej, që e kishte gjithnjë valixhen gati, por që gjithnjë kthehej; për atë fëmijën e përjetshëm, për të cilin i vëllai, Genci, i thoshte: “Ti moj motër ke tre fëmijë, dy do t’i rritësh, një asnjëherë”.

Ishte ajo që rrëfen se çfarë ndjeu në momentin kur i shoqi do t’i futej politikës. Në kohën kur Kadare shpallej si i arratisur, për shkak të largimit të tij në Francë, ekonomisti Gramoz Pashko do t’i dilte në krah shkrimtarit, me anë të një interviste në valët e “Zërit të Amerikës”.

“Ismail Kadare ka qenë dhe mbetet një gjeni. Ka bërë një vepër monumentale. Si intelektual, ai është një njeri shumë i ndershëm dhe i drejtë… Ishte një mik shumë i mirë dhe mua më vjen keq se ai do të më mungojë, por nuk besoj për shumë kohë, unë besoj se ai do të kthehet”, thoshte Pashko asokohe.

“Pashko njihej si intelektual galant, jashtë shtampave të kohës, por u bë i njohur edhe për intervistën dhënë për ‘Zërin e Amerikës’ për Ismail Kadarenë, në një moment kur ai ishte i arratisur nga pikëpamja ligjore. Ishte hera e parë që ‘përshëndetej’ fajtori, ose arratisja e një njeriu”, tregon Preç Zogaj. Të mbroje të ikurin, në momentin kur pushteti i vjetër mbahej me thonj, nuk ishte e thjeshtë.

“Pas intervistës, ne patëm probleme shumë të mëdha, filluan të bëhen mbledhje të organizatës në Fakultet. Nuk lëvizte nga shtëpia. Një makinë e bardhë që duhet të ishte e Sigurimit të Shtetit rrinte në fillim të rrugicës ku ne jetonim. Por ai nuk ka pasur frikë. Gramozi ka qenë trim.

Ai ka folur gjithmonë hapur. Nuk ka qenë asnjëherë një njeri me dy fytyra. Atë që kishte brenda në shpirt, atë e tregonte dhe më vonë, kur ai hyri në politikë, pas ’90-s, për mua ishte një fatkeqësi shumë e madhe. Jo gjithçka që njeriu ka në zemër dhe në shpirt duhet ta shfaqë dhe në politikë”, tregon bashkëshortja, Mimoza.

Përplasja me Berishën

Përveçse antagonist ndaj sistemit, për rrëzimin e të cilit ai mori pjesë, duket si Pashko antagonizmin më të madh në jetë e kishte pasur me liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Dhe kjo linjë e shoqëron dokumentarin që në momentin që Pashko do t’i futej politikës. Konkurrenca e fortë mes të dyve u ndje që gjatë lëvizjes së studentëve.

Genc Ruli e kishte besuar me kohë se Pashko nuk mund të mos ishte pjesë e kësaj lëvizjeje. Dhe ashtu ndodhi… “Rrotull tij ishin gjithë studentët. Aty kam ndeshur për herë të parë edhe Sali Berishën”, kujton Ruli. Zogaj, ndërsa sjell ndër mend atë kohë, thotë se: “Ata zgjodhën kohën, koha zgjodhi ata”.

“Ndihej një konkurrencë mes tyre, por ishin tipa të ndryshëm. Kishin një gjë të përbashkët: rrezatonin karizmë, impresionim, nxitje, gjallëri, emocion te të tjerët. Të dy karaktere të forta. Gramozi ishte më liberal, Berisha më tradicional, më i tabanit. Gramozi ishte në botën e një fluturimi mendor dhe karakterial”, kujton Ruli. Që prej atyre ditëve të trazuara që do të sillnin pluralizmin dhe më pas rrëzimin e sistemit, do të vinte edhe momenti i zgjedhjes së lidershipit të Partisë Demokratike.

“Askush nuk mori shumicën. Atëherë Arben Demeti u çua dhe tha që dy të parët do të votohen përsëri. Dhe aty kam dëgjuar për herë të parë fjalën balotazh.

Gramozi e pranoi rezultatin në mënyrë gati sportive…”, thotë Zogaj, një tjetër dëshmitar i asaj periudhe, ndërsa i kujtohet fare mirë heshtja që pllakosi pas daljes së rezultatit. Koha kalonte me zhvillime të mëdha për vendin dhe Partinë Demokratike, zgjedhjet e ’91-shit, rënia e qeverisë, krijimi i Qeverisë së Stabilitetit, ku ai do të bëhej zëvendëskryeministër.

“Unë nuk doja, ajo qeveri do të ishte shumë e dëmshme për të”, thotë e shoqja, e cila kujton edhe momentin kur u detyrua të jepte dorëheqjen, ndërsa ishin në Londër. Ai ishte kundër vendimit të marrë nga Sali Berisha për tërheqjen e ministrave të tij nga Qeveria, madje do ta thoshte këtë edhe para mediave.

“U mërzit jashtëzakonisht shumë, u revoltua dhe më thoshte se kishin nisur reforma, të cilat duhej të vazhdonin”, tregon zonja Pashko. Por diçka ndodhi, që i ndërroi mendjen Pashkos, një takim që e shoqja e tregon për herë të parë.

“Ne jemi kthyer në Romë dhe Gramozi ka pasur një takim të fshehtë, jo publik me Andreotin, në kishën e një mikut të tyre, ku i tha: Biri im, kur partia vendos të prishë një qeveri, duhet të japësh dorëheqjen’”, kujton ajo. Në zgjedhjet e mëpasshme, kur PD-ja fiton thellë, dhe Pashko do të ishte deputet i zonës së Selenicës, e shoqja kujton se ai ishte i bindur që Gramozi nuk besonte se do të ishte pjesë e qeverisë së re. “Konfliktet kishin nisur”, thotë ajo.

Konflikte që do të thelloheshin me humbjen e zgjedhjeve vendore, por do të kulmonin në atë kongres, në gusht 1992, kur Pashko dhe jo vetëm nuk do të ishin më pjesë e PD-së. Pamjet filmike tregojnë situatën e tensionuar, thirrjet në sallë, fjalimin e Berishës që i quan “pseudointelektualë hipokritë” dhe Pashkon, që e quan shkatërrues të partisë, dhe u parathotë ditët e vështira që do të përjetonte Partia Demokratike nëse do të vazhdonte në rrugën e nisur.

“Në atë kohë kishim SHIKun nga pas. Ne ishim shumë të kujdesshëm në lëvizjet që bënim. Ishte shumë e bezdisur që edhe para ’90-ës të ishe i survejuar nga SHIK-u. Hapje telefonin dhe e kishe të përgjuar. Të gjithë të afërmit tanë u hoqën nga puna”, tregon Mimoza Pashko. Kjo situatë i detyroi të largoheshin fillimisht në Londër e pastaj në SHBA, ku nuk mundën ta bënin dot atdheun e tyre.

Panorama

Read Entire Article